Zgjedhjet në Poloni, partitë opozitare sigurojnë 54 për qind të votave
Tri parti opozitare në Poloni kanë siguruar afërsisht 54 për qind të votave dhe tani janë një hap larg pushtetit, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të dielën.
Partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi, e cila ka qeverisur Poloninë për tetë vjet të trazuara, ka dalë në krye me pak më shumë se 35 për qind, por ka humbur shumicën në parlament.
Pjesëmarrja në votime arriti një rekord prej 73 për qind, duke tejkaluar 63 për qind në zgjedhjet e vitit 1989 që shkaktuan rënien e sistemit komunist në Poloni.
Partia Ligj dhe Drejtësi e Jaroslaw Kaczynskit është akuzuar për gërryerje të sundimit të ligjit në Poloni duke marrë kontrollin e gjyqësorit në një mënyrë që ka shkelur vetë Kushtetutën e vendit.
Partia ka politizuar institucionet shtetërore, si median shtetërore, të cilat i përdori si mjet propagande në favor të politikave të saj dhe duke minuar kundërshtarët e saj.
Suksesi i Donald Tusk, sipas mediave ndërkombëtare, është edhe më i jashtëzakonshëm duke pasur parasysh se media shtetërore në Poloni e portretizoi atë gjatë fushatës zgjedhore si një mbrojtës të Gjermanisë dhe Rusisë, një pretendim i pabazuar që i dha atij edhe më shumë mbështetje.