Zgjedhjet në Serbi s’ishin në përputhje me standardet e BE-së
Eurodeputeti i Parlamentit Evropian, Klemen Groshelj, i cili ishte edhe shef i misionit të PE-së që vëzhgoi procesin zgjedhor në Serbi, ka vlerësuar se këto zgjedhje nuk ishin në përputhje me standardet dhe kriteret e Kopenhagës për anëtarësimin e një vendi në Bashkimin Evropian.
“Çështja e zgjedhjeve është një nga çështjet më themelore në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Pra, kjo është mjaft e qartë. Nuk do të ketë mbyllje të negociatave derisa të arrihen ato standarde”, ka thënë eurodeputeti slloven.
Parregullsitë zgjedhore në Serbi në të kaluar, sipas Groshelj, ishin më të sofistikuara, ndërsa tani janë të hapura dhe brutale.
“Këta shembuj që përmenda, për futjen e fletëve të votimit në kuti, fshirjen e votuesve dhe gjithçka tjetër që ka ndodhur, nuk kanë ekzistuar. Nuk po them se gjërat ishin më të mira në të kaluarën, por ishin më të sofistikuara. Tani ishte e hapur, brutale”, vlerësoi ai.
Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor të dielën. Rezultatet preliminare të zgjedhjeve sugjerojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin në Serbi, megjithëse janë raportuar një numër i parregullësive gjatë votimit.
Lista e partisë në pushtet “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, fitoi 47 për qind të votave apo 129 mandate në Parlamentin e Serbisë, kurse koalicioni opozitar liberal “Serbia kundër dhunës”, fitoi 23 për qind të votave apo 63 ulëse në legjislativin e ri të Serbisë.