Zgjedhjet në Serbi, Trajkoviqi: Kurti po e përdor komunitetin serb si peng në negociata
Politikania serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po i përdor si “peng në negociata” serbët lokalë.
Kurti ka kërkuar marrëveshje të veçantë me Serbinë për t’iu mundësuar komunitetit serb në Kosovë pjesëmarrja në zgjedhjet e Serbisë. Trajkoviq thotë se kjo forcon “kontrollin mbi serbët”.
“Serbët në Kosovë kanë të drejtën e shtetësisë së dyfishtë dhe të votojnë në zgjedhjet serbe sipas planit të Ahtisaarit. Rikthimi i të drejtave tona tashmë të vendosura dhe përdorimi i komunitetit tonë si peng në negociata duhet të ndalet. Kjo qasje ka çuar vetëm në forcimin e elementeve ekstreme”.
“Qeveria e Kosovës ndan shqetësimet e saj për Radoiçiqin dhe ndikimin e tij, megjithatë merr vendime që forcojnë kontrollin e saj mbi serbët në Kosovë. Nëse serbët e Kosovës futen në autobusë për të votuar në Rashkë në vend të komuniteteve të tyre, vullneti i tyre demokratik ka edhe më shumë gjasa të keqpërdoret”, ka shkruar Trajkoviqi në “X”, duke përmendur në postim shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.