Zgjedhjet në ShBA, Arsim Sinani: Çdo votë në këto zgjedhje është vendimtare
Profesori universitar Arsim Sinani ka folur për garën e zgjedhjeve presidenciale në ShBA mes Donald Trumpit dhe Joe Biden.
Ai për Euronews Albania intervistën e tij e nisi me një thënie të George Washingtonit. “Sa më i vështirë konflikti, aq më e madhe fitorja”, frazë e cila sipas Sinanit përshkruante qartë situatën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sinani ka theksuar se në këto zgjedhje çdo votë do të jetë vendimtare dhe kandidatët do të luftojnë deri në momentin e fundit, duke mos dhënë preferencë për asnjërin kandidat.
Sa i përket qasjes së dy kandidatëve me Ballkanin Perëndimor dhe konkretisht Shqipërisë dhe Kosovës, Arsim
Sinani ka theksuar se Biden ka pasur një qëndrim dinjitoz ndërkohë që nuk hodhi poshtë as përpjekjet e presidentit aktual Donald Trump.
Ai sqaroi se politikat e jashtme në ShBA i bën departamenti i shtetit. Ato janë afatgjata dhe kushdo që të fitojë, Shqipëria dhe Kosova do të gjejnë mbështetje.
Së fundmi profesori universitar bëri një thirrje. “I bëj thirrje shtetit shqiptar dhe Kosovës që diasporën tonë ta inkuadrojnë më konkretisht në politikbërje dhe në diplomacinë kulturore për shkak se lobi serb po influencon shumë kohët e fundit në Uashington dhe duket sikur kemi rënë në plan të dytë. Unë mendoj se duhet që diaspora shqiptare të inkuadrohet më tepër dhe të jemi pak më agresiv në këtë drejtim që të mos ndodhë që Serbia të na befasojë në Uashington”, ka deklaruar Arsim Sinani.