Zgjedhjet në ShBA, Gillibrandi tërhiqet nga gara
Senatorja demokrate, Kirsten Gillibrand, i ka dhënë fund garës së saj për nominimin partia si kandidate për zgjedhjet presidenciale në ShBA, më 2020.
Gillibrandi ka njoftuar për vendimin e saj në një video online, pasi dështoi të kualifikohej për debatin e tretë të demokratëve që do të mbahet muajin e ardhshëm.
“Pas më shumë se tetë muajve të pabesueshëm, unë po e përfundoj fushatën time presidenciale”, ka thënë ajo.
Gillibrandi, 52 vjeçe, ka qenë avokate e zëshme për të drejtat e grave, por fushata e saj nuk arriti të tërhiqte vëmendje të madhe.
Ajo ka fituar vendin në Senatin e ShBA-së në vitin 2009, kur Hillary Clinton ka pranuar rolin e sekretares së shtetit në administratën e ish-presidentit Barack Obama.
Me daljen e Gillibrandit, në garë për nominimin e Partisë Demokratike mbeten 20 kandidatë.
Në zgjedhjet e vitit 2020, njëri prej tyre do të përballet me presidentin e tanishëm, Donald Trump, i cili do të kandidojë për rizgjedhje.