Zgjedhjet në Shqipëri, Meta: Monitorimi i shërben vlerësimit për rregullsinë e tyre
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar sot në lidhje me monitorimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore të datës 6 mars.
Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, Meta u shpreh se është me rëndësi monitorimi nga afër i procesit zgjedhor në vend, ndërsa kujtoi afatin e fundit për akreditim të vëzhguesve nga subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje.
“Sot, në ditën e fundit të paraqitjes së kërkesave pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për akreditim vëzhguesish nga subjektet pjesëmarrëse në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022, theksoj rëndësinë e monitorimit të afërt të këtij procesi. Kjo do t’i shërbejë vlerësimit skrupuloz mbi rregullsinë e procesit zgjedhor, sipas standardeve të kërkuara, si dhe legjitimitetit të rezultatit të tyre”, është shprehur Meta.
Shqipëria pritet të mbajë zgjedhje të pjesshme vendore në gjashtë bashki të vendit: Shkodër, Dibër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnjë.