Zgjedhjet në Ulqin: URA e Abazoviqit e gatshme për bashkëpunim por kërkon kryetarin
Zgjedhjet lokale në Ulqin, më saktësisht data e mbajtjes së tyre, ende kanë mbetur pezull, edhe pse juristët pajtohen se shtyrja e tyre është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
Disa nga subjektet politike, janë gati për garën elektorale pa marrë parasysh se kur do të mbahen zgjedhjet.
Në Lëvizjen Qytetare URA thonë se preferojnë që në zgjedhje të dalin vetëm, por nuk përjashtojnë edhe bashkëpunimin me subjekte të tjera, ndërsa Socialdemokratët, ende po shqyrtojnë opsionet.
Këshilltari Nevryz Shaptafi (URA) thotë se sipas ligjit zgjedhjet do të duhej të mbaheshin më 27 mars, por ata janë gati pa marrë parasysh se në cilën datë do të caktohen. Lidhur me daljen në zgjedhje, Shaptafi thotë se preferojnë të dalin të vetëm, por nuk përjashtohet mundësia e bashkëpunimit, sidomos me subjektet e partive të pakicave. Kushtë për këtë thotë ai, është që kandidati i URA të jetë edhe kryetar i Komunës.
Xhavid Hoxhiq (SD) thotë se ende nuk mund të japë një qëndrim zyrtar se në çfarë forme kjo parti do të dalë në zgjedhje, dhe se kjo me siguri do të ndikohet edhe nga situata në nivel qendror.
Në Forcën e Re Demokratike thonë se zgjedhjet është mirë të mbahen sa më parë, dhe se janë të hapur edhe për bashkëpunim, ku përparësi kanë subjektet nacionale. Këshilltari Sabri Salaj thotë se kjo është temë që do të diskutohet në të ardhmen dhe se në këtë parti janë gati për procesin zgjedhor.
Zgjedhjet në Ulqin janë caktuar të mbahen më 27 mars, por duke njohur prirjen për shkelje të çdo norme ligjore, pa marrë parasysh se nga vjen, nuk do të ishte çudi që edhe të shtyhen për në maj. Partitë thonë se janë gati për garë, por është evidente se kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë, dhe se me padurim presin zgjidhjen e situatës politike në nivel qendror./tvteuta/.