Zgjedhjet në veri do të shkojnë mirë
Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adrijana Hoxhiq, ka shprehur bindjen se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetar të Komunës së Leposaviqit, të Zubin Potokut, të Zveçanit dhe të Mitrovicës së Veriut do të shkojnë mirë.
Ajo ka deklaruar se të gjitha institucionet kompetente i kanë marrë të gjitha veprimet që të ketë një ecuri zgjedhore korrekte dhe demokratike.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hoxhiqi i ka ftuar qytetarët e këtyre komunave që të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre.
“Unë luftoj për demokraci të lartë dhe për cilësi në demokraci. Jam shumë e bindur se në terren nuk do ta kemi ndonjë problem. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të votojnë sipas mendimit dhe vullnetit të tyre”, ka thënë Hoxhiq.
Ajo ka treguar se institucionet i kanë marrë masat e duhura edhe në aspektin e sigurisë. “Jam e bindur se aktorët dhe institucionet kompetente do ta bëjnë punën e tyre që ta kemi nivelin e sigurisë në mënyrën e duhur”, është shprehur ajo.
Hoxhiq ka shprehur optimizëm se kryetarët e rinj të këtyre komunave nuk do të japin dorëheqje pas zgjedhjeve. “Nuk dua ta mendoj këtë skenar. Shpresoj që kryetarët që do të zgjedhën në këto zgjedhje nuk do të japin dorëheqje. Por, nëse vijmë deri në atë gjendje, Ministria e Pushtetit Lokal nuk është institucioni që merret me këtë çështje. Është presidenti i Kosovës i cili i shpallë zgjedhjet dhe më pas janë institucionet e tjera që i organizojnë ato”, ka thënë ajo.
Në këtë intervistë Hoxhiq ka folur edhe për punën si ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal. Ajo ka treguar se deri më tani nuk ka pasur kurrfarë presioni nga askush.
“Vërtet gjatë kësaj kohe nuk kam pasur kurrfarë presioni për marrjen e këtij posti. Mendoj se të gjithë e kanë kuptuar se angazhimi im ndërlidhet ekskluzivisht me përvojën e punës që unë kam në vetëqeverisjen lokale. Në anën tjetër, unë me punën e deritanishme kam treguar interesim që t’u ndihmoj të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hoxhiq.
“Epoka e re”: Znj. Hoxhiq, i keni bërë më shumë se një muaj që kur keni marrë postin e ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal. Gjatë kësaj kohe, a keni pasur ndonjë presion nga jashtë për marrjen e këtij posti?
Hoxhiq: Vërtet gjatë kësaj kohe nuk ka pasur kurrfarë presioni për marrjen e këtij posti. Mendoj se të gjithë e kanë kuptuar se angazhimi im ndërlidhet ekskluzivisht me përvojën e punës që unë kam në vetëqeverisjen lokale. Në anën tjetër, me punën e deritanishme kam treguar interesim që t’u ndihmoj të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kështu që, ky përkushtim imi do të mbetet i njëjtë. Përveç Komunës së Mitrovicës Veriore, duhet ta mbikëqyrim punën edhe në 37 komunat e tjera që ekzistojnë në Kosovë.
“Epoka e re”: Kemi pasur raste që individët që kanë marrë postet e ministrave nga radhët e Listës Serbe u është bërë presion nga ky subjekt politik.
Hoxhiq: Nuk ka ndodhur kjo sepse unë me angazhimin tim në Komunën e Mitrovicës Veriore kam pasur bashkëpunim me këtë listë dhe me punën që unë e kam bërë është krijuar ajo ura e besimit. Shpresoj se jo vetëm qytetarët serbë të Kosovës, por edhe qytetarët e tjerë kanë krijuar një besim. Unë do të punoj me përkushtim dhe interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Epoka e re”: Domethënë, raportet e juaja me Listën Serbe nuk kanë ndryshuar prej marrjes së këtij posti?
Hoxhiq: Nuk kanë ndryshuar jo vetëm me Listën Serbe, por me asnjë parti tjetër politike. Raportet e mia janë të njëjta me të gjithë. Në fillim të marrjes së mandatit unë kam treguar se emërimi im në këtë post nuk ka të bëjë fare me politika të larta. Besoj se ky mesazh ka dhënë rezultat, sepse ata që me njohin e dinë se jam e sinqertë dhe kjo ka luajtur rol në këtë drejtim.
“Epoka e re”: Këtë të diel do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, atje ku ju më herët keni shërbyer. Çka pritni nga këto zgjedhje?
Hoxhiq: Shpresoj se do ta kemi një proces demokratik zgjedhor në këto komuna. Ju e dini se nuk ka edhe shumë kandidatë që do të garojnë për kryetar të këtyre komunave. Dhe tani po e shfrytëzoj këtë rast që përmes gazetës suaj t’u uroj të gjithë kandidatëve suksese në këtë proces zgjedhor.
“Epoka e re”: Në aspektin e sigurisë, çka kanë bërë institucionet qendrore që të dielën ta kemi një proces të qetë dhe demokratik?
Hoxhiq: Jam e bindur që aktorët dhe institucionet kompetente do ta bëjnë punën e tyre që ta kemi nivelin e sigurisë në mënyrën e duhur.
“Epoka e re”: A ekzistojnë kushtet e duhura demokratike për zhvillimin e këtij procesi zgjedhor, sepse disa subjekte politike serbe nuk do të marrin pjesë në këtë proces, me arsyetimin se kandidatët e tyre mund të rrezikohen?
Hoxhiq: Nuk mund të flas në emër të askujt por gjërat e tilla patjetër duhet të raportohen tek institucionet relevante, të cilat duhet të merren me këtë çështje. Unë luftoj për demokraci të lartë dhe për cilësi në demokraci. Jam shumë e bindur se në terren nuk do ta kemi ndonjë problem. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të votojnë sipas mendimit dhe vullnetit të tyre.
“Epoka e re”: Pra, besoni se do të shkojë gjithçka në rregull?
Hoxhiq: Ne do të kemi zgjedhje demokratike dhe të rregullta, duke e respektuar ligjin për këto zgjedhje. Asgjë më shumë nuk mund të them, vetëm shpresoj dhe mendoj se nuk do të kemi probleme në terren.
“Epoka e re”: Është përmendur mundësia që pasi të zgjedhen kryetarët e rinj, sërish ata do të japin dorëheqje. A janë institucionet e përgatitura për këtë skenar?
Hoxhiq: Nuk dua ta mendoj këtë skenar. Shpresoj që kryetarët që do të zgjedhën në këto zgjedhje nuk do të japin dorëheqje. Por, nëse vijmë deri në atë gjendje, Ministria e Pushtetit Lokal nuk është institucioni që merret me këtë çështje. Është presidenti i Kosovës i cili i shpallë zgjedhjet dhe më pas janë institucionet e tjera që i organizojnë ato.
Muhamet KOCI