Zgjedhjet në veri, kandidati i PDK-së në Zubin Potok: I papranushëm presioni i Serbisë ndaj qytetarëve
Kandidati i PDK-së për Zubin Potok, Izmir Zeqiri ka folur rreth zgjedhjeve në katër komunat veriore të cilat do të mbahen këtë dielë më 23 prill.
Zeqiri tha se ai synon të ofrojë siguri dhe barazi për të gjithë qytetarët.
“Ajo që është mëse e nevojshme, ju ofroj siguri, zhvillim, drejtësi dhe barazi për të gjithë qytetarët pa dallim feje apo etnie. Do të përpiqem maksimalisht që t’ju ofrojmë infrastrukturën ligjore që ofron Republika e Kosovës ku mund të ndihen krenar dhe të sigurt secili qytetar që jeton në këto treva”, ka thënë Zeqiri në një intervistë për abcnews, përcjell Reporteri.net.
Tutje, ai tha se duke e marrë parasysh propagandën serbe, mund të ketë pjesëmarrje minimale ose fare të palës serbe në zgjedhje.
“Duke parë intensifikimin e kësaj propagande tejet të tmerrshme për qytetarët serbë nga Beogradi mundet edhe të ketë minimum ose hiç përgjigje në këto zgjedhje nga ana e palës serbe”, shtoi Zeqiri.
Ndër të tjera, kandidati për Zubin Potok e vlerësoi si krim shantazhin që po iu bën Serbia qytetarëve serbë për të mos marrë pjesë në zgjedhje.
“Kjo propagandë që i i paraprin ditës së zgjedhjeve nga ana e Serbisë, është e papranueshme edhe në aspektin ndërkombëtar sepse është lehtë t’i ndrydhë dhe shtrydhë, ky është krim. Nuk është patriotizëm, por krim e udhëhequr nga kriminelët. Ne do të dalim në zgjedhje. Të lirë janë qytetarët kushdo që të përgjigjet”, tha ai.
Në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq do të mbahen zgjedhjet në të cilat do të zgjedhen kryetarët e rinj të komunave.
Në këto zgjedhje nuk do të ketë pjesëmarrje të Listës Serbe. Reporteri.net