Zgjedhjet për Parlamentin Evropian / Cilat janë efektet për Shqipërinë dhe Kosovën?
Shkruan: Sabri Kiçmari
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian konfirmuan vetëm pjesërisht pritjet për një forcim të së djathtës ekstreme
Lajmi i mirë është se partitë proevropiane kanë fituar dhe partitë euroskeptike nuk kanë fuqi bllokimi në Parlamentin Evropian. Zgjedhjet janë shoqëruar me një fitore të ndjeshme të partive ekologjike. Në Gjermani madje Të Gjelbërtit arritën të renditen në vendin e dytë. Në Gjermani fituan kristiandemokratët, në Suedi socialdemokratët, kurse në Francë e djathta ekstreme e Marie Le Pen-it.
Kush e ndaloi rritjen e së djathtës ekstreme?
Janë dy faktorë themelor që ndikuan në shmangien e rritjes më të madhe të së djathtës ekstreme: pjesëmarrja në zgjedhje dhe efekti Strache. Fakti se kësaj radhe në nivel evropian pati një rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes në zgjedhje, dëshmon se partitë proevropiane arritën të mobilizojnë elektoratin kundër rrëshqitjes drejt të djathtës ekstreme. Zbulimi i një skene korruptive proruse të Christian Straches në Austri dekonstruktoi retorikën mashtruese patriotike të partive të ekstremit të djathtë.
Cilat janë efektet e zgjedhjeve për Shqipërinë dhe Kosovën?
Fakti se partitë popullore dhe socialdemokrate kanë dalë grupet më të fuqishme në Parlamentin Evropian, dhe fakti se partitë ekologjike kanë shtuar numrin e ulëseve është një garancë se Parlamenti Evropian nuk do të ketë efekte bllokuese për integrim. Megjithatë, të dy qeveritë tona duhet të operojnë me kujdes në rrafshin e politikës evropiane, pasi që në disa vende, partitë e ekstremit të djathtë janë në pushtet dhe mund të zbatojnë mekanizma bllokues.