Zgjedhjet po vijnë, rinia po ikë! Kujdes me listat!
Shkruan: Astrit Gashi
Rinia jonë po largohet nga partitë politike për disa arsye kryesore, të cilat shpesh lidhen me zhgënjimin ndaj klasës politike dhe mënyrën se si funksionojnë partitë, të cilat janë bërë si fiset e mesjetës, me dajallarë, teze dhe farefis të liderëve. Me ofertë që sjell një parlament të dobët!
Rinia është e bindur se partitë politike nuk adresojnë çështjet që janë në interesin e tyre. Rinia kosovare e sheh strukturën dhe hierarkinë e partive tradicionale si të ngurta dhe jo përfshirëse, gjë që i largon ata nga angazhimi aktiv. Ata ndihen të përjashtuar dhe besojnë se nuk ekziston një sistem vlerash të ndërtuar mirë.
Është krijuar bindje kolektive se posa të përfundojnë votimet, ata do të anashkalohen dhe pozitat do t’i marrin servilët e shefave.
Tashmë, kur rinia e ka kuptuar këtë, kjo mund të jetë një sfidë e madhe për partitë politike, të cilat duhet të rishikojnë dhe rinovojnë strategjitë e tyre për të tërhequr dhe përfshirë më shumë të rinj, nëse nuk duan të pësojnë debakël!
Rinia, janë lodhur duke parë kolonat e xhipave të zinj të liderëve, të cilët po ua nxijnë jetën. Dua të binden se liderët dinë me ec me popullin!
Sot, në horizont nuk duket se ndonjë parti politike do të ketë votën e rinisë! Rinia sot po “voton” për një biletë njëdrejtimëshe për të ikur nga Kosova.
(P.S. – Një mik më kërkoi një opinion për përqindjet e partive sot! Nuk kam një opinion pa parë listat, por aktualisht asnjë subjekt opozitar nuk e prek 20%-shin, ndërsa pozita ka humbur 20% të përkrahjes. Në lojë është vota proteste, e cila është shumë e madhe. Vlerat janë në rrezik.)