Zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi, fronti i fundit anti-rus

08 mars 2023 | 12:41

Nga Ermir Gjinishi

Historia e popujve ballkanikë deri diku është e ngjashme. Nga të qënurit pjesë e sundimeve perandorake dhe pushtimeve hegjemoniste, në përpjekjen e tyre për pavarësi dhe shtet formim. Mali i Zi me historinë e tij unike përbën një miniaturë të kujtesës historike të rajonit tonë. Territori në fjalë, vendbanim i Ilirëve, grupit më të madh të popujve indoevropianë, ra nën pushtimin romak nga shek. I (p.e.s) deri në rënien e kësaj perandorie në shek. V (e.s). Mesjeta klasike dhe e vonë, është periudha që njohu zhvillime të rëndësishme në historinë e Malit të Zi. Referuar burimeve historike, për herë të parë Mali i Zi përmendet me këtë emër në shekullin e XIII-të. Ai është përshtatje e nominimit venedikas “Montenegro”.

Në shekullin e IX-të, në territorin e sotëm të Malit të Zi ishin vendosur tre principata sllave, Dukla në jug, Travunia në perëndim dhe Rashka në veri. Kryengritja e udhëhequr nga Stefan Vojislavi në vitin 1043, solli pavarësinë e Duklës nga Perandoria Bizantine dhe themelimin e dinastisë së Vojislavlevicëve. Në shekujt që pasuan, Mali i Zi u sundua nga disa fuqi rajonale, si dhe dy perandori, ajo Bizantine dhe Osmane.

Themelimi i shtetit të Malit të Zi daton në shek. 15-të. Aty fillon dhe përdorimi i fjalës Crna Gora. Për katër shekuj, historia e Malit të Zi shfaqet në formë principatash e mbretërish deri në vitin 1918 kur humbi statusin e shtetit dhe u bë pjesë e Mbretërisë së Serbo-Kroate-Sllovene, më vonë Mbretëria e Jugosllavisë. Pas Luftës së II-të Botërore, me formimin e RFD të Jugosllavisë në vitin 1945, Mali i Zi ishte një nga gjashtë republikat federative të saj. Në këtë kohë u përcaktuan kufijtë e sotëm të Malit të zi. Federata e udhëhequr nga Tito funksionoi deri diku në bashkëpunimin mes gjashtë republikave, por nuk mundi ti bashkojë popujt e saj, marrëdhënia e të cilëve u ngjiz në ofshamën e Adenauerit, jetojmë në të njëjtin qiell por nuk ndajmë të njëjtin horizont. Pas shpërbërjes së RFJ-së më 1992-ën Mali i Zi mbeti pjesë e RF Jugosllave deri në vitin 2003. Më pas, së bashku me Serbinë krijuan unionin Serbi-Mali i Zi i cili ekzistoi deri në vitin 2006 kur Mali i Zi u pavarësua prej Serbisë.

Garancia e vetme e paqes mes dy shteteve është pamundësia e kërcënimit të ndërsjellët thotë Pierre de Levis. Malazezët mbeten i vetmi komb që nuk u përfshi në konfliktet ndër-etnike të cilat çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Qëndrimi i Malit të Zi nën ombrellën e Serbisë shmangu një konflikt të drejtpërdrejt mes tyre, por nuk kaloi pa tension me fqinjët. Kroatët e përjetuan keq vitin 1992 kur anijet luftarake të Serbisë u nisën nga porti ushtarak i Porto Novit në gjirin e Kotorrit dhe bombarduan Dubrovnikun. Tensioni me fqinjët u shtua kur Mali i zi pranoi të ishte porta e thyerjes së embargos anti-serbe e cila furnizonte luftën në Bosnje dhe Kroaci në vitet 90-të.

Siguria është parakusht i lirisë thotë Meloni. Pa çka marrëdhënies së afërt me Serbinë, malazezët u kujdesen për dy gjëra të cilat rezultuan decizive për të ardhmen. Të forcoheshin ekonomikisht, qoftë dhe me forma jo të ligjshme si kontrabanda, dhe së dyti të konfiguronin një linjë politike të pavarur nga Beogradi, e cila do ti çonte drejt shkëputjes përfundimtare nga Jugosllavia e mbetur. Dhe momenti erdhi kur malazezët shfrytëzuan në mënyrë brilante disfatën ushtarako-politike të Serbisë me Nato-n në luftën e Kosovës.

Politika pa historinë është si njeriu që ecën pa busull. Rrugëtimi i vështirë i Malit të zi në këto tre dekada, nuk mund të kuptohet pa ideatorin dhe realizuesin e aspiratave malazeze, Milo Gjukanoviq. Aleanca politike e tij me Zoran Xhingjiç, krijuan unionin Serbi-Mali i Zi me president aleatin e ngushtë të Gjukanoviqit, Zvetozar Maroviç, nën frymën e të ardhmes së dy popujve në BE. Pas eliminimit të Gjingjiqit, Gjykanoviqi kuptoi kërcënimin që Mali i Zi kishte në rast se vazhdonte të qëndronte në atë union. Me mbështetjen e Perëndimit, por dhe të Rusisë në heshtje (e cila kish investuar kapitale të majme në Malin e Zi), Gjykanoviq arriti të realizojë pavarësinë e plotë të Malit të Zi më 2006-tën.

Kur Serbia kuptoi që e kish humbur përfundimisht Malin e Zi, krijoi një strategji të re e cila bazohej në tri shtylla: 1- Demonizimin e lidershipit politik të Malit të Zi në sytë e Perëndimit, nëpërmjet publikimit të skandaleve korruptive. 2- Implementimin e një plan-veprimi specifik për serbët dhe kishën serbe në Malin e Zi. 3-Bashkëpunimin ekonomik dhe politik me minoritetet e tjera në Malin e Zi, kryesisht kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët, për të krijuar një front të përbashkët anti-Gjukanoviq në të ardhmen e afërt. Aleati kryesor i Serbisë në këtë strategji ishte Rusia për shkak të insistimit të Malit të Zi për t’u anëtarësuar në NATO. Aleanca serbo-ruse nuk mundi të pengojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, por arriti të krijojë frontin anti-Gjukanoviq. Strategjia e saj u ndihmua edhe nga një pjesë naive e politikës dhe medias europiane, në emër të luftës kundër korrupsionit.

Ndërkohë, Gjukanoviq bëri disa gabime taktike të cilat i kushtuan shtrenjtë. Ai përçau shqiptarët në disa parti duke i de faktorizuar ata, dhe më pas mori nën kontroll Ulqinin, bashkinë më të madhe shqiptare. Të njëjtin gabim përsëriti me kroatët dhe boshnjakët e Malit të Zi, kur ju hoqi mundësinë të merrnin nga një deputet më shumë në zgjedhjet e fundit parlamentare, pavarësisht se kjo do ti garantonte atij koalicionin qeverisës. Nga ana tjetër Perëndimi, duke nënvlerësuar rolin destruktiv të Beogradit në Mal të Zi, përkrahu ndryshimin politik në emër të luftës kundër korrupsionit dhe “shoqërisë së hapur” multietnike.

Ardhja në pushtet e aleancës shumëngjyrëshe pro-serbe nuk ishte thjesht një ndryshim politik. Ajo qëndron në pushtet falë pazareve politike dhe gjeopolitike të cilat rrezikojnë stabilitetin dhe të ardhmen e vendit. Me ndihmën e kryeministrit të parë shqiptar në Malin e Zi Dritan Abazoviqit, kisha serbe arriti të nënshkruaj marrëveshjen historike me qeverinë malazeze, duke zyrtarizuar serbizimin e kishës ortodokse në Malin e Zi, në një kohë kur Kisha Ortodokse e Serbisë nuk e njeh atë malazeze. Beogradi nëpërmjet kishës serbe kërkon të rikthejë kontrollin, aty ku mundet, në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Kisha serbe në Malin e Zi nuk është thjesht një institucion fetar, por pararoja dhe fanatikja më e madhe e projektit të “Serbisë së Madhe”.

Aktualisht, Mali i Zi është krejtësisht i paralizuar për të vijuar rrugën e tij evropiane. Ai është zhytur në një ngërç politik njëvjeçar, ku aktorët politik aktualë ose s’kanë forcë ose nuk duan ta nxjerrin që aty. Relievi politik malazez, i ndarë prej kohësh në forca pro-malazeze dhe ato pro-serbe e ruse, ka nevojë ti rikthehet vizionit të 2006-ës. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, Mali i Zi mund të bëhet shteti i parë që vetë largohet nga NATO. Lufta në Ukrainë i ka hapur sytë edhe qeverive perëndimore mbi udhëkryqin e rrezikshëm ku ndodhet Mali i Zi. Vetëm tani një pjesë e Perëndimit ka filluar të kuptojë se Gjukanoviq është jo vetëm e keqa më e vogël, por dhe mundësia e vetme për të nxjerrë Malin e Zi nga kjo agoni endemike.

Kandidimi i Gjukanoviqit për një mandat të tretë presidencial në Malin e Zi, është sinonim i paradigmës së Bonapatrit, “Franca ma ka pasur më shumë nevojën, se sa unë asaj”. Beteja e zgjedhjeve presidenciale e 19 marsit pritet të jetë po aq historike sa referendumi i 2006-ës që i dha pavarësinë Malit të zi. Forcave pro-serbe u intereson fillimisht rrëzimi i Gjukanoviqit, pastaj e kanë rrugën e hapur për konfigurimin e një qeverie totalisht pro Beogradit. Në këto rrethana, përveç betejës së brendshme, Gjukanoviq është i detyruar të ketë paralelisht një betejë politike me Rusinë, Serbinë dhe Kishën serbe.

Gjukanoviq gjendet përballë betejës më të fortë të jetës së tij politike. Vota e shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve të Malit të zi do jetë vendimtare. Përballë tij qëndron një koalicion politik i mbështetur pjesërisht nga Perëndimi, por edhe nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, në emër të projektit “Ballkani i hapur”. Kjo situatë e ka vendosur atë në pozitat e britmës volteriane “O Perëndi! Më ruaj nga miqtë se nga armiqtë mbrohem vetë”.

Në kushtet e njohura gjeopolitike, zgjedhjet presidenciale të 19 marsit kanë një rëndësi përtej Malit të Zi. Nëse në Ukrainë lufta bëhet çdo ditë me armë, në Ballkan lufta Rusi- Perëndim bëhet me politikë. Fronti i kësaj lufte është Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova. Ndërkohë që një pjesë e Perëndimit përkëdhel Beogradin me shpresë të mos shkojë kah Moska, proceset politike, ekonomike dhe ato post-pandemike, rrezikojnë ta ulin Rusinë këmbëkryq në Ballkanin Perëndimor, nën “naivitetin” e Perëndimit. Bosnja dhe Hercegovina është e dënuar të jetë shtet i dështuar, ndërsa Kosovës po i imponohet parathënia e një Bosnje të dytë. Beteja e Gjukanoviqit ose do ta zhysë rajonin edhe më tej në këtë amulli, ose do të ri konsolidojë qartazi perspektivën ballkanike larg Moskës. Prandaj ajo nuk i përket vetëm malazezëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi i Milwaukee nuk lëshon kreun e renditjes në Lindje,…