Zgjedhjet prodhuan krizë politike

12 shkurt 2025 | 10:52

Shkruan: Astrit Gashi

Zgjedhjet kanë përfunduar dhe rezultati tashmë dihet. Megjithatë, ky rezultat ka krijuar një situatë të ndërlikuar politike, ku as pozita dhe as opozita nuk kanë një shumicë të qartë për të formuar qeverinë. Kjo do të thotë se krijimi i një ekzekutivi të ri do të jetë një proces i vështirë dhe, me shumë gjasa, nuk do të ndodhë para pranverës.

Ky rezultat është pasojë e dështimit të pozitës për të realizuar premtimet e saj, si dhe e paaftësisë së opozitës për t’u reformuar dhe ofruar një alternativë bindëse. Në vend që të sillnin një ofertë të re politike, partitë opozitare konkurruan me të njëjtat klane dhe figura të vjetra, të cilat nuk arritën të fitojnë besimin e elektoratit për të ndërtuar një qeveri të re.

Nga ana tjetër, ndarja e votave dhe mungesa e një shumice të qartë ka bërë që formimi i qeverisë të varet nga llogaritjet politike dhe marrëveshjet mes partive, të cilat deri më tani duken shumë të vështira.

Një koalicion i madh mes forcave kryesore politike është pothuajse i pamundur pa ndërhyrjen e faktorëve ndërkombëtarë. Për të siguruar një shumicë prej të paktën 61 votash për qeverinë e re, partitë duhet të përfshijnë edhe minoritetet joserbe, por kjo është një sfidë për shkak të ndarjeve të thella mes partive dhe mungesës së një konsensusi të gjerë.

Në këto rrethana, Vetëvendosje (VV) ka mundësinë që të prolongojë procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, duke bllokuar kështu gjithë zinxhirin institucional. Kjo është e mundur për shkak të interpretimeve të diskutueshme të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka ndërhyrë disa herë në proces pa dhënë afate kohore të qarta. Kjo krijon terren për një krizë të zgjatur institucionale, ku as nuk formohet qeveria, as nuk shpallen zgjedhje të reja, duke futur vendin në një situatë të pasigurt politike.

Një tjetër faktor që rëndon situatën është fakti se pas një viti duhet të zgjidhet edhe Presidenti i vendit, një proces që në këto kushte është pothuajse i pamundur. Zgjedhja e Presidentit kërkon 81 vota në Kuvend, një shumicë që asnjë parti nuk e ka dhe që është shumë e vështirë të arrihet pa një marrëveshje të gjerë politike.

Në këtë kontekst, për të siguruar stabilitet politik, Kosova ka vetëm një opsion realist: një koalicion mes Vetëvendosjes dhe njërës nga dy partitë e mëdha opozitare – PDK ose LDK.
Një koalicion mes VV dhe PDK, e cila ka rreth 25 deputetë, do të kishte më shumë gjasa për të arritur shumicën e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit dhe krijimin e një qeverie stabile.
Një koalicion mes VV dhe LDK, e cila ka rreth 20 deputetë, do të ishte një opsion më i brishtë, pasi nuk do të garantonte shumicën prej 81 votash për zgjedhjen e Presidentit.

Nëse këto dy opsione dështojnë, Kosova do të përballet me një krizë të vazhdueshme, ku qeveria mund të jetë jofunksionale dhe zgjedhjet e reja do të jenë të pashmangshme, por pa siguri se do të sjellin një rezultat më të qartë se ky aktuali.

Në fund, zgjedhjet nuk e prodhuan vetëm rezultatin, por edhe krizën. Dhe tani, fati i institucioneve të Kosovës nuk varet më vetëm nga vullneti i partive politike, por edhe nga presioni ndërkombëtar dhe nga gatishmëria për të bërë kompromis.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Esad Dujaka, gazetar në pension Pak histori: Më 12…