Zgjedhjet serbe të 3 prillit, Kurti: Kemi nevojë për paqe
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës me kancelarin austriak, ka thënë se ata që mund të tentojnë të nxisin tensione më 3 prill, datë kur janë planifikuar të mbahen zgjedhjet e Serbisë nuk do të kenë sukses.
Ai ka konfirmuar se janë në kontakte të vazhdueshme me ambasadat e vendeve të QUINT-it, sidomos me Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se beson që nuk do të ketë probleme të dielën e 3 prillit.
“Nuk kemi diskutuar veçanërisht për zgjedhjet e 3 prillit që i organizon Serbia. Dëshirojmë që në Kosovë të respektohet Kushtetuta, ligji dhe rezoluta e 15 janarit dhe nuk duam t’ia pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë të drejtën e tyre të votës. Jemi optimist për rrugën përpara, mund të ketë dikush që dëshiron destabilizim, eksese, incidente, mirëpo këtë nuk do ta gjeni në radhët e popullit të Kosovës dhe as të institucioneve të republikës. Jemi në kontakte me Brukselin, ambasadat e QUINT-it, natyrisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besojmë se nuk do të ketë kurrfarë problemesh dhe ata që do të mund të paramendojnë, ose larg qoftë të tentojnë, nuk do të mund të kenë sukses. Kemi nevojë për paqe në Ballkanin Perëndimor dhe dita e 3 prillit nuk besoj që të do të jetë ndryshe”, ka thënë Kurti lidhur me zgjedhjet e Serbisë që pritet të mbahen më 3 prill.