Zgjedhjet serbe të 3 prillit, Kurti thotë se BE-ja nuk ishte e lumtur me të për këtë arsye

23 mars 2022 | 14:03

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar edhe njëherë lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë më 3 prill në Kosovë.

Ai ka thënë se nuk e di nëse zhvillimet rreth këtyre zgjedhjeve do të ndikojnë në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Zhvillimet rreth zgjedhjeve të Serbisë nuk e di se sa ndikojnë në dialog. Kur të na ftojnë për raundin e ardhshëm të bisedimeve normalisht që ne jemi të gatshëm që të angazhohemi me përkushtim, me konstruktivitet dhe me kreativitet. Nuk më takon mua të vlerësoj sepse është ndërmjetësuesi se kur është e përshtatshëm dhe me çfarë agjende të zhvillohet takimi i radhës në Bruksel”, ka thënë Kurti në një konferencë për media, pas mbledhjes se Qeverisë së Kosovës.

Më tutje, Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë vendim për mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por se nuk ka pasur një marrëveshje për mbajtjen e tyre.

“Nuk do të thosha qe Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por e vërteta është se nuk ka marrëveshje paraprake që normalisht paraqet kushtin për të mundësuar mbajtjen e atyre zgjedhjeve  që nuk është plotësuar. Ne kemi pritur një shkëmbim normal të letrave, të kërkesave, të trajtimit tonë, por kjo gjë nuk ka ndodhur”, ka thënë Kurti.

Shefi i qeverisë ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) nuk ka qenë i lumtur që nuk ka pranuar që zgjedhjet e Serbisë të mbahen në Kosovë, vetëm përmes një letër shkëmbimi në mes të zyrave ndërlidhëse.

“Bashkimi Evropian  nuk ka qenë i lumtur me faktin që unë nuk kam pranuar që gjithçka të përmbyllet përbrenda një letërshkëmbimi të sugjeruar ndërmjet zyrtarëve ndërlidhës. Jam i bindur që marrëveshja duhet të jetë përmes shkëmbimit të letrave të Qeverisë së Serbisë me Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka vetëm pak muaj që Fjolla Morina dhe Fisnik Syla…