Zgjerimi i koalicionit, i nevojshëm

28 korrik 2020 | 11:10

Njohësit e rrethanave politike në vend e shohin të nevojshëm zgjerimin e koalicionit qeverisës. Ata kanë vlerësuar se qeveria aktuale është e brishtë në numra dhe se përballja me sfidat të cilat e presin Kosovën e bëjnë të pashmangshme zgjerimin e koalicionit. Sipas tyre, opsioni më i mundshëm është përfshirja e PDK-së në këtë qeveri.

“Në rrethana të tilla, funksionaliteti i qeverisë rrezikohet dhe pashmangshëm kërkon ose zgjerim të koalicionit, ose shpërndarje të Kuvendit për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Përfshirja e PDK-së në koalicion qeverisës është një skenar i mundshëm, por ekziston edhe një mundësi tjetër që PDK-ja të mos përfshihet në qeveri, por ta ketë përkrahjen e partnerëve të koalicionit për ta zgjedhur presidentin nga radhët e veta kurdo që do të ndodhë kjo, si dhe ta luajë rolin e opozitës konstruktive, duke i votuar disa prej ligjeve të rëndësishme të qeverisë, siç mund të jetë Ligj për Buxhetin, si dhe duke i dhënë besimin në rast të ngritjes së mocioneve të mosbesimit”, ka thënë Albert Krasniqi për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka treguar se si mund të duket në praktikë mbështetja e PDK-së për qeverinë. “Në sistemin parlamentar të Uestminsterit, kur partitë politike opozitare nuk marrin poste ministrore në qeveri, por që japin mbështetjen për qeverinë në këmbim të shtyrjes përpara të politikave të caktuara, njihet si besim-dhe-mbështetje (confidence-and-supply). Një skenar i tillë do të ishte në interes edhe të qeverisë, pasi do t’i ofronte më shumë stabilitet, por edhe të PDK-së, e cila do ta kishte të drejtën e propozimit të presidentit dhe t’i shmangte zgjedhjet, sidomos në këtë kohë kur lideri i saj është duke u përballur me akuza nga Gjykata Speciale”, ka thënë Krasniqi.

Edhe analisti tjetër politik Behxhet Shala e sheh shumë të mundshëm skenarin e përfshirjes së PDK-së në qeveri. Sipas tij, ky veprim mund të ndikohet nga epilogu i akuzave të Speciales ndaj presidenti Hashim Thaçi dhe lideri të kësaj partie, Kadri Veseli. “Kjo krejt varet prej epilogut që do të ketë propozimaktakuza e Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Nëse aktakuza konfirmohet, situata do të ndryshojë rrënjësisht. Atëherë domosdoshmërisht do të bëhet një ridizajnim i skenës politike të Kosovës. Pra, do të kemi një situatë që edhe PDK-ja do të përfshihet në qeveri dhe do të bëhet pjesë e dialogut. Nuk ka kuptim që PDK-ja ta përkrahë marrëveshjen me Serbinë duke qëndruar në opozitë”, ka thënë ai, duke shtuar se mbështetja e PDK-së për qeverinë është e domosdoshme. “PDK-ja është në një pozitë që tash për tash më shumë ka nevojë LDK-ja për PDK-në sesa kjo fundit për LDK-së. Sepse LDK-ja me këtë koalicion qeverisës nuk mund ta arrijë asnjë marrëveshje, madje kemi parë që nuk po mund ta kalojë as buxhetin e lëre më ta ratifikojë ndonjë marrëveshje ndërkombëtare. Por, nëse PDK-ja dhe LV-ja bëjnë ndonjë marrëveshje në opozitë, shumë shpejt mund të kemi zgjedhje të reja. Mirëpo gjithë jemi dëshmitarë që as faktori ndërkombëtar e as partitë e tjera në Kosovë nuk janë të gatshme për zgjedhje të reja. Sepse dihet që në zgjedhje do të fitonte LV-ja, por nuk do të fitonte sa po mendojnë ata”, ka thënë Shala.

Se epilogu i akuzave të para të Gjykatës Speciale mund të ketë ndikim në zgjerimin e koalicionit qeverisës e ka thënë edhe kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati. “Kjo është brengosëse. Në anën tjetër duket se ka gjasa që kjo qeveri ka vullnet për t’u zgjeruar edhe me PDK-në, sidomos pas krizës së fundit rreth ngritjes së aktakuzës për presidentin dhe z. Veseli. Sidoqoftë, cili do të jetë qëndrimi i PDK-së mbetet për t’u parë. Nuk duhet harruar se në lojë do të jetë edhe pozicioni i presidentit vitin e ardhshëm, apo pas ndonjë dorëheqjeje të mundshme të z. Thaçi e për të cilin nëse nuk ka një konsensus më të gjerë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja”, ka thënë Murati në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”.

Partnerët nuk janë kundër zgjerimit të koalicionit qeverisës

Pro zgjerimit të koalicionit qeverisës janë edhe vetë partnerët aktualë të koalicionit qeverisës. Ata nuk e kanë kundërshtuar mundësinë e futjes së PDK-së në qeveri.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar hapur se është pro përfshirjes së PDK-së në qeveri. Sipas tij, do të ishte në interesin e Kosovës që sa më shumë vota shqiptare të ketë ky koalicion qeverisës. “Jetëgjatësia e kësaj qeverie varet edhe nga mandati i presidentit. Nëse ka befasi dhe konfirmohen aktakuzat, neve na duhet kuorumi për ta zgjedhur presidentin. Një qeveri më e madhe me më shumë vota shqiptare është në interes të Kosovës. Nëse PDK-ja dëshiron të japë kontributin e vet mund të bashkëpunojmë”, ka thënë Haradinaj.

As Nisma Socialdemokrate nuk është kundër zgjerimit të koalicionit aktual qeverisës. Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë për “Epokën e re” se për këtë çështje u takon të vendosin liderët e koalicionit qeverisës. “Nisma Socialdemokrate e Kosovës nuk është kundër zgjerimit të qeverisjes me të gjithë ata që janë të interesuar të kontribuojnë që të dalim fitimtarë në të gjitha sfidat që kemi përballë, mirëpo kjo çështje u takon forcave politike dhe liderëve të tyre nëse do të udhëhiqen nga një qasje prej burrështetasve që tejkalon këndvështrimin e ngushtë partiak apo do të vazhdojnë të udhëhiqen nga interesa vetëm partiake”, ka thënë Sherifi.

Një mundësi e tillë nuk është kundërshtuar nga zyrtarët e lartë të LDK-së e cila e udhëheq qeverinë. Kryeministri Avdullahu Hoti nuk ka dashur të komentojë këtë çështje kur është pyetur. “Ju gjithmonë e dini qasjen time se si i trajtojmë këto gjëra. Asnjëherë nuk përgjigjem në asnjë pyetje hipotetike. Qeveria është plotësisht stabile. Presidenti është me mandat të plotë. Nëse krijohen ato rrethana, do të ulemi dhe do të gjejmë zgjidhjet më të mira për vendin”, ka deklaruar Hoti.

Partia Demokratike e Kosovës ka treguar një qasje më të butë ndaj qeverisë aktuale se Lëvizja Vetëvendosje, e cila është partia më e madhe në vend. PDK-ja, ndonëse ka votuar kundër formimit të qeverisë Hoti, ajo ka votuar pro disa marrëveshjeve ndërkombëtare në kuvend dhe pro miratimi të Ligjit për ndryshimin e buxhetit.

Zyrtarët e lartë të PDK-së e kanë mohuar përfshirjen e tanishme të kësaj në qeveri. Por, ka zyra të kësaj partie që publikisht janë shprehur për përfshirje në qeveri. Anëtari i kryesisë së PDK-së, Sami Lushtaku, ka thënë se në situatën në të cilën ndodhet PDK-ja, pas zhvillimeve me Gjykatën Speciale, më mirë është të përfshihet në qeveri. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje e ka mohuar çdo mundësi që të bëhet pjesë e qeverisë në këtë legjislaturë.

(Muhamet KOCI/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Kudusi Lama Që të kuptojmë se çfarë kanë thënë…