Zgjerohet me 50% aeroporti i Katarit në prag të botërorit, kjo është arsyeja

13 nëntor 2022 | 23:19

Brenda tij tashmë, mund të gjendet edhe një pyll tropikal, me qëllim relaksimin e udhëtarëve të shumtë, të cilët pritet të vijnë në prag të botërorit të futbollit FIFA 2022.

Bëhet fjalë për aeroportin ndërkombëtar të Hamad-it, në Katar, i cili ka parë vitet e fundit një rritje të jashtëzakonshme udhëtarësh, ku këtë vit pritet të kulmohet – falë edhe organizimit të botërorit futbollistik – me 58 milionë vizitorë vjetorë.

Kështu bëhet me dije nga televizioni i Katarit, Al Jazeera, i cili ka kryer edhe një reportazh në disa prej ambienteve të zgjeruara, ku përfshihet edhe një pyll tropikal i improvizuar me shatërvanë në formë ujëvarash, si edhe mjedise shtesë për argëtim, shplodhje apo për të lehtësuar lëvizjen sa më të shpejtë të tranzitorëve.

Sipas reportazhit, sipërfaqja e tij është rritur me rreth 50%.

Kështu ka shpjeguar edhe Badr Mohammed Al Meer, një drejtorëve kryesorë të operacioneve në aeroportin e Hamad-it, i cili ka thënë për Al Jazeera se ndër qëllimet kryesore, ka qenë ai i ndryshimit të konceptimit të njerëzve, mbi mënyrën se si mund dhe duhet të udhëtohet.

“kemi ndryshuar gjithë rrugëtimin e udhëtarëve, të cilët nxitojnë nga një korridor në tjetrin, të stresuar për udhëtimin e tyre të ardhshëm, nëse do të jenë apo jo në kohë në terminalin e caktuar”, bëri me dije ai, duke treguar se pse ka kaq shumë rëndësi zhvillimi i mjediseve të reja në Hamad.

Rreth 6 mijë metra katrorë tashmë, janë të zënë nga kopshti tropikal, ku janë mbjellë 300 pemë dhe mbi 25 mijë bimë, jo thjesht dekorative.

Flora e aeroportit të Hamad-it është marrë kryesisht nga Malajzia dhe Tajlanda, duke pasur në mendje mbrojtjen e pyjeve dhe duke investuar edhe në shtimin e sipërfaqeve pyjore në këto dy shtete.

Po ashtu, edhe dizajnimi i godinës, është bërë në përputhje me kushtet e duhura, të cilat i nevojiten bimëve për t’u rritur, me një tavan tërësisht prej xhami, ku drita natyrore nuk mungon.

Ndër të tjera, janë shtuar edhe dyqanet dhe restorantet në këtë zonë të re, me rreth 125 mijë katrorë, duke krijuar mjedisin optimal për udhëtarët, që të gjejnë veten aty.

Fluksi i këtyre të fundit, ka nisur të shtohet që një javë përpara fillimit të ngjarjes futbollistike të vitit dhe do të vijojë të shtohet me kalimin e ditëve dhe ndeshjeve të ndryshme.

Mirëpo, aeroporti i Hamad-it, edhe pas përmbylljes së botërorit të Katarit, do të mbetet i njëjtë dhe do ketë synime afatgjata për zhvillimin e turizmit, përfshi atë tranzitor, me numër të shtuar fluturimesh, si edhe me flotën e shtuar të kompanisë së fluturimeve komerciale, Qatar Airways, një prej më të mëdhave në botë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në prag të nisjes së edicionit të parë të Big…