Zgjerohet pilot projekti i UKZ-së ‘’Më shumë se një mësues për ciklin fillor’’
Që nga shtatori 2019, kur edhe ka filluar viti i ri shkollor, nismës së Universitetit “Kadri Zeka” të pilot projekti “Më shumë se një mësues për ciklin fillor”, e që është mbështetur nga GIZ dhe Komuna e Gjilanit, respektivisht Drejtoria për Arsim, i janë bashkangjitur edhe tri shkolla fillore të kësaj komune, “ Musa Zajmi”, “Abaz Ajeti” dhe “Rexhep Elmazi”, për klasat e treta, katërta dhe të pesta, derisa shkolla “Selami Hallaqi” ka filluar që nga viti i kaluar.
Universiteti “Kadri Zeka”, ka qenë vazhdimisht i kyçur edhe në shkollimin fillor, përmes formave të ndryshme, qoftë të këshillimeve, propozimeve, mbështetjes profesionale, në mënyrë që të zhvillohen reformat që bëjnë ndryshime dhe ndikojnë direkt në rritjen e cilësisë dhe sukseseve të nxënësve.
Për të parë punën e ecurisë së pilot projektit, ‘’Më shumë se një mësues për ciklin fillor’’, drejtues të UKZ-së, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka, Profesorët e Fakultetit të Edukimit Nevrije Ismaili dhe Mensur Neziri, kanë vizituar shkollat e lartpërmendura veç e veç, ku kanë pasur takime me drejtuesit e tyre dhe me mësimdhënësit, njëherësh kanë marrë pjesë nëpër klasat që është duke u zhvilluar pilot projekti.
Dukagjin Leka, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në Universitetin “Kadri Zeka”, në emër të Rektorit Bajram Kosumi ka uruar të gjithë për fillimin e implementimit të Pilot Projektit, derisa ka thënë se universiteti do të jetë vazhdimisht i kyçur edhe në shkollimin fillor, përmes formave të ndryshme, qoftë të këshillimeve, propozimeve, mbështetjes profesionale, në mënyrë që të zhvillohen reformat që bëjnë ndryshime dhe ndikojnë direkt në rritjen e cilësisë dhe sukseseve të nxënësve.
Profesorët Nevrije Ismaili dhe Mensur Neziri, kanë potencuar faktin se angazhimi i më shumë mësimdhënësve është një profesionalizëm më i lartë dhe njëkohësisht edhe zhvillim i qëndrueshëm i fëmijëve në moshën e hershme të tyre.
Nga ana e tyre, Drejtorët e shkollave fillore, ku po zhvillohet Pilot Projekti ’’Më shumë se një mësues për ciklin fillor’’, janë shprehur se mësimdhënësit në përgjithësi kanë qenë të vendosur që këtë praktikë të re e cila është ende pilot projekt ta shndërrojnë në një sukses që do të merret model për shkollat e Gjilanit dhe gjithë Kosovës, dhe se sipas tyre kjo qasje është pranuar mjaft mire dhe nga ana e nxënësëve.
Angazhimi i mësimdhënësve në një apo dy lëndë është një profesionalizëm më i lartë dhe njëkohësisht, zhvillimi i qëndrueshëm i fëmijëve në moshën e hershme, në aspektin e nxënies së diturive me këtë model të përfshirjes së më shumë mësimdhënësve, mund të sjellë rezultate që do të shihen gjatë së ardhmes.
Drejtorët e shkollave, besojnë se ky pilot projekt do të jetë i suksesshëm, gjithnjë në favor të cilësisë në arsim, por dhe njëkohësisht, edhe të përgjegjësisë më të madhe dhe mundësisë e të nxënit në një nivel më të lartë, pasi që secili mësimdhënës është përgjegjës për një lëndë mësimore, , sepse një mësues, sado i përgatitur, nuk do të mund të jetë i efektshëm në të gjitha lëndët për të gjitha nivelet e mësimit klasor.
Implementimit të pilot projektit që ka për qëllim ngritjen e cilësisë të këtij niveli të arsimit, i kanë paraprirë organizimi i tryezave debatuese nga Universiteti ‘’Kadri Zeka’’, janë mbajtur diskutimet të ndryshme, janë bërë hulumtime dhe njëherësh janë konsultu ekspertë të fushave përkatëse .