Zgjerohet rrjeti i kanalizimit në Gurishtë të Malishevës
Në kuadër të realizimit të projekteve për vitin 2019 në fshatin Gurishtë është duke u realizuar projekti i zgjerimit të rrjetit të kanalizimit, përkatësisht është në përfundim e sipër zgjerimi me 1 200 metra kanalizim.
Punimet për realizimin e këtij projekti i ka parë nga afër nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili është takuar edhe me përfaqësues të fshatit.
“Ne jemi duke u munduar që t’i plotësojmë të gjitha nevojat që kanë banorët, sidomos në infrastrukturë, në këtë rast për rregullimin rrjeteve të kanalizimeve. Sisteme të kanalizimeve nuk kemi pasur asnjëherë në vendbanimet e Malishevës. Tani gradualisht jemi duke i rregulluar në tërësi, në të gjitha vendbanimet”, ka thënë Berisha.
Në këtë fshat, i cili është karakteristik për shkak të konfiguracionit, sistemi i rrjetit të kanalizimit ka qenë i ndërtuar në pjesën më të madhe, ndërsa një pjesë e fshatit ka qenë pa rrjet të kanalizimit.
/Epoka e re/