Zgjidhet kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe shtatë gjyqtarë mbikëqyrës të gjykatave

27 shtator 2021 | 12:10

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 266-të me radhë, nën udhëheqjen e kryesuesit Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Takimi ka filluar me shqyrtimin e raporteve të kandidatëve për shtatë (7) gjyqtarë mbikëqyrës të gjykatave themelore dhe dy (2) kryetarë të gjykatave themelore, mandati i të cilëve është pesë (5) vjeçar dhe do të fillojë nga data 1 tetor 2021.

Sipas rekomandimeve të komisioneve vlerësuese për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve dhe pas zhvillimit të procesit të votimit, me shumicë votash, kanë zgjedhur: gjyqtarin Mustaf Tahiri, kryetar të Gjykatës Themelore në Ferizaj, gjyqtarin Njazi Morina, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Dega në Malishevë, gjyqtarin Ilir Rashkaj, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Dega në Rahovec, gjyqtaren Sabrije Rraci, gjyqtare mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore në Pejë, Dega në Klinë, gjyqtaren Ajshe Balaj, gjyqtare mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore në Pejë, Dega në Deçan, gjyqtarin Shemsedin Haxhiaj, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Pejë, Dega në Istog, gjyqtarin Avdulla Mecinaj, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Skenderaj dhe gjyqtarin Zenel Tasholli, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan.

Kandidati i vetëm për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren, Agron Hoxhaj, nuk ka marrë votat e mjaftueshme për tu emëruar në këtë pozitë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Barcelonës, Ansu Fati është paraqitur mirë te Barcelona…