Zgjidhet kryetari i ri i CDU-së
Friedrich Merz-i pason Armin Laschet-in në krye të Bashkimit Kristjandemokrat (CDU). Sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Paul Ziemiak, ka njoftuar në një konferencë për media se Merzi kishte marrë 62.1 për qind të votave në votimin e anëtarëve. Konkurrenti i tij, Norbert Rottgen ka marrë 25. 8 për qind të votave dhe Helge Braun 12.1 për qind.
Merzi tani do të emërohet kryetar i partisë në kongresin federal të CDU-së, më 21 dhe 22 janar. Sipas informacioneve të CDU-së, në votim morën pjesë pothuajse dy të tretat e rreth 400 mijë anëtarëve të partisë.
Kryetari i CSU-së bavareze, Markus Soder, ka shkruar në llogarinë e vet në “Twitter” se ai dhe partia e tij gëzohen për bashkëpunimin e ardhshëm. Ish-kryetari i partisë “E Majta”, Riexinger ka thënë se me zgjedhjen e Merzit ishte e qartë se CDU-ja do të pozicionohej shumë në të djathtë.
“Por kthimi në vitet neoliberale tetëdhjetë nuk është përgjigje për çështjet e kohës”, ka thënë ai.
Armin Lascheti e kishte vënë në dispozicion postin e tij pas humbjes së zgjedhjeve federale në shtator.
Rottgeni dhe Merzi kanë konkurruar për postin e kryetarit të CDU-së në fillim të këtij viti dhe kanë humbur ndaj Laschetit në një kongres partie atëherë. Për Merzin, kjo është përpjekja e tretë për të kryesuar partinë, pasi 66-vjeçari kishte humbur në vitin 2018 përballë Annegret Kramp-Karrenbauerit, pasardhëses së ish-kryetares së CDU-së dhe ish-kancelares gjermane, Angela Merkel./DW/