Zgjidhet misteri 34 vjeçar, zbulohet vrasësi i kryeministrit suedez

10 qershor 2020 | 17:07

Kanë kaluar 34 vjet që kur arkitekti i Suedisë moderne dhe lëvizjes socialdemokrate në Skandinavi u vra me pistoletë në Stokholm.

Kryeministri Olof Palme sapo kishte dalë nga kinemaja ‘Grand’ bashkë me të shoqen Lisbet, kur pak para mesnatës së 28 shkurtit të vitit 1986 u qëllua me armë zjarri pas shpine, dhe ndërroi jetë i mbuluar në gjak në një prej rrugëve më të frekuentuara të kryeqytetit suedez.

Që atëherë vrasja e njeriut që ndërtoi mitin e Suedisë të mirëqenies dhe barazisë, kishte mbetur e pazgjidhur, pavarësisht mijëra pyetësorëve, qindra dëshmive dhe një fajtori, më pas të çliruar nga akuzat.

Kthesa erdhi mëngjesin e së mërkurës, kur prokurorët identifikuan autorin e vrasjes. Ai është Stig Engstrom, grafik dizajnër në një kompani sigurimesh, i cili kishte vrarë veten në vitin 2010. Mendohet se personi ka vepruar për shkak të urrejtjes ideologjike.


Hetuesi Ans Melander

“Mund të them se ky është një prej hetimeve më të mëdha në botë. është krahasuar shpesh me vrasjen e Kenedit dhe bombardimin e Lokerbi”, thotë hetuesi Ans Melander.

Engstrom, ka qenë prej kohësh i dyshuar, dhe prania e tij në skenën e krimit ishte e njohur. Është marrë në pyetje nga policia, por përfshirja në vrasje u përjashtua shpejt. Dështimi i policisë në identifikimin e fajtorit ka lënë shenjë të thellë në një vend që krenohet me standardet e tij të sigurisë.

Zbardhja e misterit i jep fund teorive komplotiste, që bënin përgjegjës për vrasjen CIA-n, separatistët kurdë apo shërbimet e sigurisë në Afrikën e Jugut.

Lajme të sponsorizuara