Zgjidhja me Serbinë duhet të bëhet në vija etnike
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim (LB), Avni Klinaku, ka thënë se procesi i dialogut Kosovë – Serbi duhet të vazhdojë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se arritja e marrëveshjes finale ndërmjet dy vendeve është e pashmangshme.
“Mund të vonohet për shkak të këtyre zhvillimeve të brendshme, por nuk ka rrugë tjetër për zgjidhjen e problemeve. Duke e parë krejt historinë në mes të shqiptarëve dhe serbëve, duke e parë edhe mosgatishmërinë e faktorit ndërkombëtar që të hyjë fuqishëm në këtë temë, marrëveshja mund të vonohet, por besoj se në vitin 2020 do të arrihet”, është shprehur Klinaku, duke shtuar se zgjidhja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet në vija etnike.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se Lugina e Preshevës do të bashkohet me Kosovën, kurse veriu me Serbinë.
“Besoj se zgjidhja do të bëhet në vija etnike pasi që problemi është në vija etnike. Kështu që, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja domosdo do t’i bashkohen Kosovës, kurse Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku do t’i bashkohen Serbisë”, ka deklaruar Klinaku.
Ai ka folur edhe për taksën ndaj Serbisë, duke thënë se ajo duhet të mbetet në fuqi, mirëpo jo të ndërlidhet me çështjen e njohjes. Sipas Klinakut, taksa nuk duhet të bëhet pengesë për marrëveshjen finale dhe për raportet me ShBA-në.
“Epoka e re”: Z. Klinaku, si i komentoni zhvillimet e fundit në skenën politike?
Klinaku: Kohët e fundit çdo zhvillim politik është i lidhur ngushtë me dialogun, respektivisht me zgjidhjen përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. Vetë taksa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe faktori ndërkombëtar lidhet me dialogun dhe marrëveshjen politike. Pra, jemi në një situatë kur çdo gjë po kondicionohet nga dialogu dhe marrëveshja e ardhshme.
“Epoka e re”: Qeveria po insiston që taksa të mbetet në fuqi, por partnerja kryesore, ShBA-ja, po sugjeron heqjen e saj. Duhet të pezullohet kjo taksë?
Klinaku: Kur është vendosur taksa është dashur të merret parasysh fakti se do të ketë edhe presion. Që nga fillimi maturia është dashur të jetë në nivelin e duhur. Personalisht mendoj se ende taksa nuk duhet të hiqet, pra duhet të ndiqet një politikë ‘tërhiq e mos e këput’. Në asnjë mënyrë taksa nuk do të bëhet pengesë qoftë për marrëveshjen finale, qoftë për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tash për tash mendoj se taksa nuk e cenon as njërën e as tjetrën, por vetëm sa i ndihmon.
“Epoka e re”: Në opinion është komentuar një qëndrim i Departamentit të Amerikan Shtetit, sipas të cilit, në rast se Kosova nuk e pezullon taksën, mund të vihet në pikëpyetje mbështetja amerikanë për ushtrinë. Mbetja e taksës në fuqi, nuk e rrezikon partneritetin me ShBA-në?
Klinaku: Ende nuk rrezikon asgjë. Jo vetëm që taksa si formë e reciprocitetit duhet të mbetet në fuqi, por reciprociteti në përgjithësi duhet të shtrihet edhe në fusha të tjera. Kurse për atë dokumentin për të cilin po flisni, si duket nuk ka qenë i vërtetë, meqë aty është paralajmëruar edhe një afat kohor (21 janar) për vendosjen e masave të tilla, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ka persona dhe struktura të ndryshme që e kanë paraparë një dokument të tillë, por në të vërtetë nuk ka ekzistuar. Tash për tash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi vetëm deklarata publike dhe një disponim që taksa të hiqet.
“Epoka e re”: Edhe sa mund t’i bëjë ballë Kosova presionit ndërkombëtar?
Klinaku: Nuk po shoh akoma presion, por politika e Kosovës në raport me taksën, ShBA-në dhe me krejt faktorin ndërkombëtar duhet ta ndjekë politikën ‘tërhiq e mos e këput’.
“Epoka e re”: Besoni se taksa mund ta arrijë efektin dhe nuk do të hiqet deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare e cila parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia siç po pretendon kryeministri Haradinaj?
Klinaku: Taksa nuk duhet të lidhet me njohjen. Edhe kur shtetet e njohin njëra-tjetrën dhe vendosin marrëdhënie bilaterale mund të vendosin masa të reciprocitetit nëse e pengojnë në çështje të ndryshme njëra-tjetrën. Kështu që taksa nuk duhet të lidhet me njohjen. Taksa nuk duhet t’i pengojë vetëm dy çështje: marrëveshjen finale Kosovë – Serbi dhe raportet me ShBA-në. Sa për të tjerat mund të qëndrojë në fuqi.
“Epoka e re”: Si mund të vazhdojë dialogu dhe të arrihet marrëveshja përderisa taksa mbetet në fuqi dhe Serbia nuk dëshiron vazhdim të procesit pa heqjen e saj?
Klinaku: Dialogu i tillë i kushtëzuar nga Serbia nuk prodhon asnjë efekt pozitiv. Në qoftë se dialogu nuk është interes i saj dhe nuk e harron taksën, Serbia do të nxjerrë edhe probleme të tjera, për shembull, për çështjen e ushtrisë. Në qoftë se Serbia insiston në zhbërjen e ushtrisë së Kosovës për të vazhduar dialogu atëherë çfarë duhet të bëjmë? Prandaj presioni duhet t’i bëhet Serbisë, dialogu duhet të vazhdojë, marrëveshja duhet të arrihet dhe taksa nuk ka lidhje me këtë punë, veç e ndihmon.
“Epoka e re”: Çfarë prisni nga ky proces tani ku pjesë e tij është edhe ekipi negociator i kryesuar nga Limaj dhe Ahmeti?
Klinaku: Është krijuar një tollovi shumë e madhe në procesin e dialogut. Kemi dy pole pothuajse të kundërta: polin e presidentit dhe polin qeveritar. Përderisa poli qeveritar parasheh mosndryshim të kufijve dhe vetëm pengesa në dialog, nga ana tjetër koncepti i presidentit që shkon në drejtim të ShBA-së parasheh ndryshimin e kufijve. Kështu që është shumë problem për t’i lidhur këto dy segmente në shtetin e Kosovës.
“Epoka e re”: Si mund të arrihet marrëveshja përfundimtare në emër të Kosovës kur brenda saj kemi këto dy qëndrime diametralisht të kundërta në mes të presidentit dhe kryeministrit që janë dy figurat kryesore në skenën politike aktualisht?
Klinaku: Është e vështirë edhe nga aspekti i brendshëm edhe nga aspekti i jashtëm. Serbia ende nuk i ka shprehur në dialog apetitet e veta të plota, por mendoj se të gjithë do të vijnë në një gojë sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Pra, do të pajtohen të gjithë me ndarjen në vija etnike sepse në fund të fundit edhe problemi është në vija etnike. Nuk mund ta zgjidhim problemin ndryshe veçse aty ku buron.
“Epoka e re”: Prisni që këtë vit të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi dhe a besoni se pjesë e saj do të jetë edhe bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën?
Klinaku: Arritja e marrëveshjes Kosovë – Serbi është e pashmangshme. Mund të vonohet për shkak të këtyre zhvillimeve të brendshme, por nuk ka rrugë tjetër për zgjidhjen e problemeve. Duke e parë krejt historinë në mes të shqiptarëve dhe serbëve, duke e parë edhe mosgatishmërinë e faktorit ndërkombëtar që të hyjë fuqishëm në këtë temë, marrëveshja mund të vonohet, por besoj se në vitin 2020 do të arrihet. Besoj se zgjidhja do të bëhet në vija etnike pasi problemi është në vija etnike. Kështu që, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja domosdo do t’i bashkohen Kosovës, kurse Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku do t’i bashkohen Serbisë.
“Epoka e re”: Z. Klinaku, çfarë mendimi keni për qeverisjen e deritanishme të koalicionit PAN dhe rolin e opozitës dhe, a prisni ndryshime?
Klinaku: Nuk pres ndryshime të mëdha për shkak të zhvillimeve të jashtme, për shkak të dialogut dhe qëndrimeve të BE-së dhe të ShBA-së. Është një qeverisje me zhvillime shumë të çuditshme. Ka elemente shumë pozitive, por ka edhe elemente shumë negative. Për shembull, vendimi për taksën është veprim shumë pozitiv, kurse ngritja e pagës së kryeministrit dhe stafit të tij është vendim tepër negativ. Kurse sa i përket opozitës, si gjithmonë, ajo është e çorientuar dhe e çakorduar pa një strategji dhe pa një forcë për ndryshimin e gjërave.
“Epoka e re”: Greva në arsim dhe paralajmërimi i shërbyesve civile për grevë, a mund të sjellë krizë?
Klinaku: Gjasat janë të mëdha për një shpërthim social dhe pikërisht atë shpërthim social po e sforcon vendimi i kryeministrit për rritjen e pagës.
Shqipe HETEMI