Zhang: Kosova duhet t’i vazhdojë reformat për rritje më të madhe ekonomike
Zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, ka thënë se Kosova duhet të shënojë një rritje edhe më të madhe ekonomike për t’i përmbushur aspiratat që ka në sektorin e zhvillimit ekonomik.
“Në këtë kontekst duhet të ketë punësim të rinisë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën. Duhet të vazhdoni me reforma në arsim dhe në ambientin e biznesit, në mënyrë që të krijohen vende të reja të punës”, ka thënë Zhang.
Kurse ministri i Financave, Bedri Hamza, ka falënderuar Zhang për mbështetjen e FMN-së dhënë Kosovës. “Siç jeni njoftuar para dy javëve, Bordi Ekzekutiv i FMN-së i kryesuar nga Zhang, ka aprovuar rishikimin vjetor të gjendjes ekonomike dhe fiskale në Kosovë (Rishikimi i artikullit IV). Me këtë rast, Bordi ka diskutuar rreth zhvillimeve ekonomike në Kosovë për vitin 2017 dhe drejtorët ekzekutivë janë pajtuar njëzëri se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në forcimin e qëndrueshmërisë fiskale, forcimin e stabilitetit në sektorin financiar, si dhe në avancimin e reformave strukturore”, ka thënë Hamza.