Zhdrella dhe Boshnjaku: Luajmë për fitore

02 mars 2019 | 10:44

Sot Llapi dhe Prishtina kërkojnë fitore në mënyrë që të mbesin në hap me Feronikelin në garë për titullin e kampionit në Superligë.

Mesfushori Mentor Zhdrella ka paralajmëruar se skuadra e Llapit është e përgatitur maksimalisht dhe synon fitore në derbin ndaj Prishtinës, i cili zhvillohet sot (e shtunë) në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Ish-lojtari që bëri historinë në futbollin e Kosovës, duke u shpallur për disa vjet më i miri, ka thënë se Prishtina është një kundërshtare e fortë, por pikët mbesin në Podujevë. “Do të jetë ndeshje interesante dhe një derbi i fortë, pasi synimet e të dy klubeve janë të njëjta. Pavarësisht prej formës që ka Prishtina, mund të them se gjithmonë është një skuadër e rrezikshme, prandaj duhet të kemi kujdes dhe mos të lejojmë gabime. Pres angazhim maksimal dhe fitore që na mban në garë për titull”, ka thënë Zhdrella për “Epokën e re”.

Ashtu sikurse Llapi, edhe Prishtina ka synime të mëdha në ndeshjen kryesore të javës së 20 në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Lorik Boshnjaku i Prishtinës ka thënë se të dyja skuadrat kanë nevojë për pikët e plota, por fitorja

do t’i takojë skuadrës nga kryeqyteti. “Me Llapin duhet fokusim maksimalisht. Është skuadër e fortë dhe pretendente, por çdo rezultat tjetër përveç fitores e eliminon nga gara, sepse mbetet shumë larg. Në pozitë të njëjtë jemi edhe ne. Na duhet fitorja patjetër që të mbesim në garë me Feronikelin. Shkojmë që ta fitojmë ndeshjen. Shpresoj të na ecë ashtu siç e kemi planifikuar. Me fitore do të prisnim qetë kush është më i mirë në përballjen me Feronikelin”, ka thënë Boshnjaku për faqen zyrtare të Prishtinës.

Skuadra e Llapit aktualisht pozicionohet në vendin e tretë në renditjen tabelore me 38 pikë, ku nga 19 ndeshje të zhvilluara ka arritur 12 fitore, dy barazime dhe pesë humbje. Ndërsa skuadra e Prishtinës është e dyta me 43 pikë, kurse ka regjistruar 13 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje.

IPKO SUPERLIGA

Ferizaj – Ballkani             1-0
Drita – Drenica                 2-0
Liria – Gjilani                    1-1
Të shtunën takohen:
KEK-u – Feronikeli
Llapi – Prishtina
Flamurtari – Trepça ‘89

LIGA E PARË

Të shtunën takohen:
Istogu – Vitia
Fushë Kosova – Ramiz Sadiku
2 Korriku – Arbëria
Të dielën takohen:
Besa – Trepça
Dukagjini – Onix
Vushtrria – Kika

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jakup Krasniqi Nuk ka më lehtë sesa të ligjërosh me…