Zhdrella: E mposhtim Prishtinën

28 shkurt 2019 | 18:19

Mentor Zhdrella nuk e konsideron skuadrën e Llapit jashtë garës për titull. Ai ka paralajmëruar fitore të shtunën ndaj Prishtinës në “Zahir Pajzaiti”.

Skuadra e Llapit vazhdon të pozicionohet në vendin e tretë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll por, pas humbjes në fundjavë në derbi ndaj Feronikelit, është shtatë pikë larg vendit të parë dhe pesë pikë larg vendit të dytë. Kjo nuk e shqetëson shumë mesfushorin Mentor Zhdrella, i cili paralajmëron se skuadra nga Podujeva është në garë për titull dhe se diferenca me skuadrat e para do të ngushtohet shumë shpejt.

“Tash janë disa derbi radhazi në mes të skuadrave kryesuese dhe secila mund të dalë e mposhtur, prandaj Llapi është në këtë garë dhe do ta japim maksimumin që në fund ta arrijmë objektivin e klubit”, ka thënë Zhdrella për “Epokën e re”.

Skuadra e Llapit ndeshjen e radhës e zhvillon më 2 mars ndaj Prishtinës në stadiumin “Zahir Pajziti”. Ish-lojtari që bëri historinë në futbollin e Kosovës duke u shpallur për disa vjet më i miri ka thënë se Prishtina është një kundërshtare e fortë, por pikët mbesin në Podujevë.

“Do të jetë ndeshje interesante dhe një derbi i fortë, pasi synimet e të dy klubeve janë të njëjta. Pavarësisht prej formës që ka Prishtina, mund të them se gjithmonë është një skuadër e rrezikshme, prandaj ne duhet të kemi kujdes dhe mos të lejojmë gabime. Pres angazhim maksimal dhe fitore që na mban në garë për titull”, ka shtuar Zhdrella, raporton “Epoka e re”.

Skuadra e Llapit aktualisht pozicionohet në vendin e tretë në renditjen tabelore me 38 pikë, ku nga 19 ndeshje të zhvilluara ka arritur 12 fitore, dy barazime dhe pesë humbje. Ndërsa nga gara e Kupës është eliminuar dhe titulli mbetet objektivi i vetëm i këtij klubi në këtë edicion garash.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkëthemeluesi i “Apple”, Steve Wozniak, duket se është i shqetësuar…