Zhdrella: Feronikeli meriton respekt, por nuk është i pathyeshëm

01 tetor 2019 | 23:51

Mentor Zhdrella ka folur për “Epokën e re” në lidhje me ndeshjen derbi Feronikeli – Llapi, kurse ka thënë se kampionët në fuqi të elitës nuk janë të pathyeshëm.

Pas shtatë xhirove të zhvilluara në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, skuadra e Llapit renditet në pozitën e tretë me pikë të barabarta me Dritën që është e dyta dhe një pikë më pak se skuadra lidere, Feronikeli.
Kapiteni i Llapit, Mentor Zhdrella, ka thënë të hënën për “Epokën e re” se është i kënaqur me rezultatet e arritur nga skuadra e tij për faktin se në afatin kalimtar të verës ka bërë shumë ndryshime në radhët e futbollistëve. Mesfushori me përvojë të madhe është optimist se Llapi në ndeshjet e ardhshme do të jetë skuadër edhe më e fortë dhe se do të arkëtojë më shumë pikë. “Ekipi ka pasur shumë ndryshime para fillimit të kampionatit. Dhe duke pasur parasysh se na nevojitet edhe pak kohë që të komponohem si duhet, mund të them se në ndeshjen e ardhshme Llapi do të paraqitet edhe më mirë dhe do të marrë edhe më shumë pikë”, ka thënë Zhdrella. Skuadra e Llapit në fundjavë arriti fitore ndaj Dukagjinit të Klinës me rezultat 2-1, edhe përkundër faktit se një pjesë të madhe të ndeshjes e luajti me një lojtar më pak në fushë, kurse të mërkurën e pret një derbi i vështirë ndaj Feronikelit në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Zhdrella, që në të kaluarën ka djersitur fanellën e “Niklit”, ka shprehur optimizëm për këtë ndeshje. “Skuadra e Feronikelit është shumë cilësore dhe meriton respekt nga të gjithë, por ne do të shkojmë në Drenas për rezultat pozitiv. Do të jetë vështirë për ta marrë maksimumin, por jo edhe e pamundur se Feronikeli nuk është skuadër e pathyeshme”, ka deklaruar Zhdrella.

Llapi nga shtatë ndeshjet e zhvilluar ka regjistruar katër fitore, dy barazime dhe një humbje. Humbja ishte mjaft befasuese dhe e thellë, pasi në Skenderaj u mposhtë nga Drenica (3-0). Ndeshja ndaj kampionit në fuqi, Feronikelit, do të jetë testi i tretë serioz për skuadrën që drejtohet nga Tahir Batatina, sepse dy teste ndaj Prishtinës dhe Dritës i ka kaluar me mjaft sukses. Skuadrën e Prishtinës e mposhti në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, derisa ndaj Dritës arriti të shpëtojë, duke e barazuar rezultatin në fund të ndeshjes 2-2.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca Kosova e Re,  në kuadër të aktiviteteve të fushatës…