Zhdrella: Jam lojtar i lirë, me Llapin u ndamë për shkak të çështjeve financiare

24 gusht 2021 | 20:10

Katër herë futbollisti më i mirë në Kosovë, Mentor Zhdrella, është lojtar i lirë. Zhdrella gjatë kësaj vere është ndarë me skuadrën e Llapit dy herë dhe ribashkimi nuk pritet të ndodhë më.

Për largimin e parë kishte njoftuar skuadra e Llapit zyrtarisht nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”: “Pas një periudhe katërvjeçare të bashkëpunimit, klubi dhe kapiteni Mentor Zhdrella kanë ndarë rrugët. Si çdo fillim tjetër që e ka fundin, edhe në futboll një fillim çdoherë do ta ketë mbarimin. Megjithatë, jo pa trofe, por me trofeun e Kupës së Kosovës, sepse ishte vetë kapiteni që kishte premtuar se nuk do të largohet nga Llapi pa i sjell trofe”.

Pak ditë më pas Zhdrella u rikthye sërish në skuadër, por nuk arriti të merret vesh për kushtet financiare dhe u largua përfundimisht. “Nuk jam më pjesë e Llapit, pasi nuk kemi arritur marrëveshje me drejtuesit e klubit rreth çështjeve financiare. Skuadrës së Llapit i dëshiroj suksese në edicionin e ri”, ka thënë Zhdrella.

Duke folur për të ardhmen, mesfushori që ka lënë gjurmë në futbollin e Kosovës nuk ka dhënë shumë informata se ku pritet të luajë. “Ofertat nuk kanë munguar asnjëherë, por të shohim se me cilën skuadër do të arrijmë marrëveshje. Tash për tash konkrete nuk ka asgjë”, ka shtuar ai.

Mesfushori Mentor Zhdrella për katër vjet rresht ishte zgjedhur lojtari më i mirë në vend, kurse karrierë ka bërë edhe te Prishtina, Hysi, 2 Korriku, Drita dhe Feronikeli.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erisa Thaqi 17-vjeçare nga fshati Muqiverc i Kamenicës është diagnostifikuar…