Zhdrella: Llapi, favorit për titull
Humbja nga Prishtina (2-0) dhe nga Drita (0-1) nuk e zmbraps aspak skuadrën e Llapit nga gara për titullin e kampionit. Kështu ka shprehur mendimin mesfushori Mentor Zhdrella. “Për Kupë kemi nisur mirë, por për kampionat kemi dështuar në dy ndeshjet e para. Megjithatë, synimet tona për titull nuk zbehen aspak. Normalisht se jemi ndër favoritët kryesorë në garën për më të mirin e elitës”, ka thënë Zhdrella.
Futbollisti Mentor Zhdrella, një ditë pas humbjes me Dritën (0-1), në kuadër të Vala Superligës së Kosovës në Futboll, ka thënë se në skuadrën e Llapit kishin pritur se do të jetë një ndeshje e vështirë por, sipas tij, i rëndësishëm është fakti se diferenca e pikëve në mes të skuadrave të para në tabelë është e vogël. “E kemi ditur se ndeshja ndaj Dritës do të jetë e vështirë sepse edhe ajo, sikurse ne, është skuadër cilësore dhe ka synime të mëdha në këtë kampionat. Fusha nuk ishte në gjendje të mirë. E dinim se një gol mund të vendoste në ndeshje. Jemi mundur të mos e humbim ndeshjen, por nuk kishim sukses. Me rëndësi është se diferenca e pikëve në mes të skuadrave është e vogël dhe ky kampionat do të jetë interesant deri në fund”, ka thënë Zhdrella për “Epokën e re”.
Llapi sezonin pranveror e nisi me fitore për Kupë ndaj Trepçës ’89, kurse për kampionat pësoi dy humbje radhazi nga Prishtina dhe Drita. Megjithatë, Zhdrella, që është lojtari që ka fituar trofe më së shumti në aspektin personal në vend, ka thënë se këto humbje nuk e zbehin aspak synimin e Llapit në garën për titull. “Për Kupë kemi nisur mirë, por për kampionat kemi dështuar në dy ndeshjet e para. Megjithatë, synimet tona për titull nuk zbehen aspak. Normalisht se jemi ndër favoritët kryesorë në garën për më të mirin e elitës”, ka thënë Zhdrella.
Në xhiron e radhës Llapi i Tahir Batatinës i shkon Flamurtarit, kurse për këtë ndeshje Zhdrella konsideron se fitorja është një obligim për skuadrën e tij. “Skuadra e Flamurtarit është shumë e fortë, ani pse tabela nuk e tregon një gjë të tillë. Ne do t’i qasemi me seriozitetin më të madh kësaj ndeshje dhe e duam fitoren e parë në pranverë”, ka deklaruar ai.
Në çastet e fundit të ndeshjes Llapi – Drita është lënduar talenti Mirlind Daku, i cili është dërguar me ambulancë në spital. Zhdrella ka siguruar tifozët llapjan se asgjë serioze nuk është me lëndimin e supertalentit Mirlind Daku dhe ai së shpejti do të jetë në dispozicion të trajnerit Batatina. “Sipas mjekut, lëndimi i Dakut nuk është aq serioz dhe ai shumë shpejt pritet të jetë i gatshëm. Bëhet fjalë për një lojtar cilësor dhe ky është lajm i mirë për Llapin”, ka përfunduar Zhdrella.
Aktualisht Llapi pozicionohet në pozitën e tretë në tabelën e elitës me 34 pikë, kurse ka dy pikë më pak se Drita dhe Prishtina.
(Veton ZYMBERI)