Zhduket kutia e votimeve për projektin e sheshit “Adem Jashari” në Prishtinë
Projektet e parakualifikuara në konkursin ndërkombëtar për sheshin monumental në nderim të sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari janë shfaqur para publikut në formën e një ekspozite të hapur më 4 shtator. Megjithatë, kutia me votat e qytetarëve është zhdukur, shkruan Demokracia.
Qytetarët e Prishtinës kishin mundësinë të votonin për projektin më të mirë për sheshin “Adem Jashari”. Demokracia.com ka mësuar se votat e qytetarëve nuk janë numëruar fare, duke krijuar kështu hapësirë që autoritetet komunale të vendosin vetë për projektin, ndonëse ishte premtuar se këtë do ta bënin qytetarët.
Demokracia.com ka mësuar se kutia me votat e qytetarëve është larguar nga holli i komunës pa u numëruar votat.
Sipas një komunikate të lëshuar nga kompania private që ka kontratë me Komunën e Prishtinës dhe që ka organizuar konkursin për “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” (SHAK), pesë projektet më të mira, të përzgjedhura nga një juri profesionale, janë shfaqur për një javë në objektet e komunës. Konkursi ishte i hapur për të gjithë artistët, arkitektët, dizajnerët grafikë dhe profesionistët e tjerë. Synimi i këtij konkursi ishte krijimi i një monumenti që simbolizon qëndresën, guximin dhe lavdinë e Adem Jasharit dhe familjes së tij, si një nga themelet kryesore të lirisë së vendit.
Demokracia ka dërguar pyetje në adresë të kompanisë për të mësuar nëse votat e qytetarëve janë numëruar. Përgjigja që morëm ishte se ky proces i përket administratës së Komunës së Prishtinës.
“Ju falënderojmë për interesimin tuaj rreth kësaj çështjeje. Për sa i përket konkursit për sheshin monumental në nderim të sakrificës së heroit Adem Jashari dhe familjes së tij, Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit i ka publikuar në kanalet e veta zyrtare të gjitha përditësimet. Sa i përket ekspozitës së hapur më 5 shtator, ju ftojmë të kontaktoni kabinetin e kryetarit të komunës, përkatësisht këshilltarin e tij, z. Visar Geci”, thuhet në përgjigjen e SHAK për Demokracia.com.
Pavarësisht pritjes disa ditore, Demokracia nuk ka marrë ende një përgjigje nga Geci dhe as nga Zyra për Informim e Komunës së Prishtinës.
Në hapjen e ekspozitës më 5 shtator ishte i pranishëm edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai kishte deklaruar se ekspozita do të qëndronte e hapur për një javë dhe se qytetarët do të votonin për projektin më të mirë nga pesë projektet e përzgjedhura. Rama kishte theksuar se projekti me më shumë vota do të zgjidhej për ndërtimin e sheshit “Adem Jashari”.
“Ne kemi përzgjedhur pesë projektet më të mira, të cilat prezantohen sot në Komunë. Ju ftoj të vini dhe të votoni për atë që mendoni se është më i miri. Heroi ynë Adem Jashari do të ketë vendin e vet edhe në Kryeqytet”, kishte deklaruar Rama.
Megjithatë, zhdukja e kutisë me votat e qytetarëve hedh dyshime mbi transparencën e procesit dhe përzgjedhjen përfundimtare të projektit.