Zhdukja e tenistes, çështje ndërkombëtare, Bideni i shqetësuar, Kina përgjigjet me foto të dyshimta
Në botën e tenisit, por jo vetëm, nuk pyetet më për fitoret e Djokovic ose për rikthimin e mundshëm të Federer, por vetëm për kinezen Peng Shuai. Ku ndodhet ish-numri një e renditjes botërore, dhe a është ajo e sigurt dhe gëzon shëndet të plotë?
Janë pyetje që duken sikur vijnë nga një skenar të një filmi thriller, dhe me shumë mundësi, në të ardhmen, Hollivudi mund të mendojë për një film të tillë.
Presidenti Joe Biden mbetet “thellësisht i shqetësuar” për vendndodhjen e tenistes kineze Peng Shuai dhe dëshiron që Kina të “sigurojë prova të pavarura dhe të verifikueshme” të vendndodhjes së saj – pavarësisht se media shtetërore kineze publikoi fotografi të saj të premten.
Përtej hipotezave, legjendave dhe propagandës, një gjë është e sigurt. Peng Shuai është zhdukur nga çdo pjesëmarrje publike nga 2 nëntori, pasi kishte denoncuar një tentativë abuzimi seksual. Jo nga një person anonim dhe të rëndomtë, por nga ish-zëvendëskryeministri i Kinës, Zhang Gaoli.
Por në 2017, ai papritur jep dorëheqjen nga Byroja Politike dhe vitin më pas nga posti i zëvendëskryeministrit. Si gjithmonë në Kinë, spekulimet për arsyet nuk zgjasin shumë, dhe mbi të ra mjegulla e zakontë që përfshin ata që i largohen rrethit të liderit “suprem” Xi Jinping.
Por në fillim të nëntorit, një postim në rrjetet sociale të tenistes së njohur Peng Shaui, u duk sikur i përgjigjej dyshimeve. Ajo është një nga personazhet më të njohura në Kinë falë karrierës së saj në tenis, në çift ka fituar turne si Wimbledon dhe Roland Garros në vitin 2014, e para teniste kineze që shpallej numër 1 në atë sport.
Me një postim që tronditi opinionin publik, Shaui rrëfeu dhunën seksuale ndaj saj të Zhang Gaoli, me të cilin sipas saj kishte pasur marrëdhënie edhe në 2011, kur politikani po i afrohej kulmit politik.