Zhgënjen Williams, finalen e US Open e fiton një 19-vjeçare
Serena Williams nuk po arrin dot të thyejë tersin që ka më shumë se një vit që e ka “pushtuar”. Tenistja amerikane u mund sot 2-0 (6-3, 7-5) nga ajo kanadeze Bianca Andreescu në finalen e US Open, ashtu sikurse edhe një vit më parë.
Ky është suksesi i parë i madh i tenistes 19-vjeçare në një grand slam, në finalen e saj të parë në një turne të tillë. Andreescu mposhti një ikonë të këtij sporti, Serena Williams, e ndalur në kuotën 23 grand slam të fituara, raporton “Telesport”.
Për Serena kjo është finalja e katërt radhazi e humbur në një grand slam, që kur u rikthye në fushë pas lindjes së vajzës së saj, dy vite më parë. Duket se ajo nuk arrin të përballojë më emocionet e një takimi të tillë edhe pse një veterane (38-vjeçe). Gjithsesi, finalja e luajtur sot në Nju Jork u dominua nga tenistja kanadeze, një yll i ri në këtë sport. Ajo e fitoi me lehtësi 6-3 setin e parë. Dhe dominon në të dytin, ku udhëheq 5-1. Vetëm në këtë moment reagon Williams, që barazon shifrat në 5-5. Vetëm kaq! Shumë pak, pasi Andreescu “zgjohet” dhe ton 7-5, duke mos i besuar syve për këtë triumf të madh edhe pse në shtëpinë e rivales.