Zhegrova dhe Ademi presin një vit të suksesshëm
Futbollisti i Përfaqësues së Kosovës, Edon Zhegrova për festën e Vitit të Ri ka qëndruar në Kosovë, ku ndërrimin e mot-moteve e ka kremtuar me familje, derisa ka bërë edhe vizita të ndryshme tek grupmoshat e reja të futbollistëve, për t’i motivuar ata që ta ndjekin ëndrrën e tyre në mënyrë që një ditë të bëhen futbollistë të mëdhenj.
Zhegrova së bashku me prindërit e tij e kanë vizituar kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë ekipit përfaqësues dhe duke e uruar për një vit të suksesshëm.
“Kësisoj, edhe një herë u dëshmua afërsia e presidentit Ademi me futbollistët e Kombëtares, me të cilët është krijuar një raport i veçantë dhe gjithçka funksionon si një familje e vërtetë. Edhe në bisedat tjera që presidenti Ademi ka pasur me futbollistët e tjerë ‘dardanë’ me rastin e festës së Vitit të Ri, të gjithë ata e kanë shprehur dëshirën për një vit të mbarë dhe janë zotuar se do të japin maksimumin në ndeshjet e ardhshme kualifikuese, në mënyrë që ta bëjnë sërish krenar popullin e Kosovës me paraqitjet e tyre. Gjithsesi, dëshira e madhe e tyre është që këtë vit të krijohen rrethanat që ata ta kenë përkrahjen e tifozëve Dardanët në tribuna, pasi vlerësohen si shtytës të sukseseve të tyre”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
(Epoka e re)