Zhegrova: I lumtur që isha i nominuar për lojtarin më të mirë në Francë
Kylian Mbappe është shpallur të hënën si lojtari më i mirë në kampionatin francez të futbollit, Ligue 1. Në mesin e të nominuarve për këtë çmim ishte edhe futbollisti i Kosovës, Edon Zhegrova.
Me skuadrën e tij, Lille, Zhegrova këtë edicion pati paraqitje fantastike.
25-vjeçari këtë edicion i ka realizuar gjashtë gola dhe ka bërë pesë asistime duke e ndihmuar skuadrën e tij të renditet në vendin e tretë me 58 pikë kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje për të përfunduar sezoni.
Me këtë rast, Edon Zhegrova, i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen që mori, ndërsa është shprehur i lumtur që ishte në mesin e të nominuarve për këtë çmim.
“Shumë i lumtur që isha i nominuar për lojtarin më të mirë në Francë. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen që më keni dhënë gjatë gjithë sezonit. Le ta përfundojmë kampionatin me fitore të dielën”, ka shkruar ai në Instagram.
Zhegrova, me paraqitjet e tij ka zgjuar interesim të madh nga disa skuadra të ndryshme evropiane, duke përfshirë Romën dhe Juventusin.