Zhegrova tregon se si prindërit e tij ikën nga Kosova në kohën e luftës
Java filloi me një zhgënjim për Edon Zhegrovën. Në vend se të fluturonte me FC Baselin në ndeshjen e Ligës së Evropës në Krasnodar, atij iu desh të qëndrojë në qytetin zviceran për shkak se rusët nuk e njohin Kosovën dhe 20-vjeçari do të duhej të udhëtonte në Beograd për të aplikuar për vizë, shkruan “Blick”.
“Unë nuk e dëshiroja këtë. Ju e dini situatën”, ka thënë fillimisht Zhegrova. Ai nuk e harron luftën dhe tregon se si prindërit e tij ikën nga atdheu i tyre para se të lindte ai. Edoni ka lindur në vitin 1999 në Herford të Gjermanisë, dy vjet më vonë, kur lufta kishte mbaruar, familja e tij kthehet në Prishtinë. Deri në moshën 12-vjeçare ai ishte një talent i rrugës, që bënte çfarë të donte me topin. U provua te Milani, pastaj një jetë me krahasime me Lionel Messin. “Askush nuk më thoshte çfarë të bëja, kështu që të mund të dribloja ashtu si dëshiroja, plotësisht i lirë”, ka treguar ai. Problemin ia tregoi trajneri Bernard Challandes.
“Në futbollin modern lojtarët sulmues gjithashtu kanë nevojë për detyra mbrojtëse. Dyshja e Liverpoolit, Salah dhe Mane, janë duke punuar edhe në mbrojtje”. Kundër Young Boys, Zhegrova i linte lojtarët kundërshtarë prapa me sllallom, duke ndikuar që të fitohet ndeshja me një gol dhe një asistim. Që nga shkurti 2019 Zhegrova është në Basel, por në gjysmën e dytë të atij sezoni, por edhe në këtë aktual, kryesisht ishte në bankinë. “Nuk ishte e lehtë për të në fillim, por ai ka treguar durim dhe tani po shpërblehet”, ka thënë Challandes. Zhegrova është integruar më mirë në ekip dhe tani po i merr vendimet e duhura në fushë.