ZHELINA – FSHATI KOMUNË ME SHTËPI TË MBYLLURA

24 mars 2023 | 21:11

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXXIII)

Shkruan: Berat Luzha

Në bregun e djathtë të lumit Vardar dhe në anën e djathtë të autostradës Shkup – Tetovë, 8 km nga Tetova dhe 35 km nga Shkupi, ndodhet fshati i madh, Zhelinë.

Ajo, e shtrirë në fushën e Pollogut në lartësi mbidetare prej 450 metra, është njëra ndër 80 qendrat komunale të R. të Maqedonisë Veriore. Komuna e Zhelinës, me 18 vendbanime fshatare, është themeluar mbi bazën e reformës territoriale të vitit 1996.

Zbulimet arkeologjike kanë treguar se Zhelina ishte e banuar që nga kohët e lashta. Rreth 500 metra nga Zhelina, në vendin e quajtur Ballshor, është zbuluar një lokalitet antik, që vërteton ekzistimin e vendbanimit në kohën e neolitit, 6000 deri 4000 vjet p.e.r. Aty janë gjetur enë të dheut, qeramikë, thika prej stralli etj.

Këtë trevë në antikë e ka banuar fisi ilir i penestëve, i cili në fshatin e sotëm ka pas një kishë. Zhelina, si fshat, njihet historikisht që nga mesjeta e hershme, e paraqitur që në vitet 1337 – 1346. Sipas dëshmive osmane, në vitin 1453 fshati kishte 34 familje dhe më 1468 – 60 familje. Në Zhelinë ndodhet një urë e vjetër monumentale mbi lumin Vardar, e ndërtuar në vitin 1539, të cilën e kanë quajtur edhe me emrin “Ura e nuseve”. Kjo dikur ishte ura e vetme që ka lidhur fushën e Pollogut me Dervenin, si dhe Tetovën me Shkupin.

Zhelina ka rreth 700 shtëpi me rreth 5000 banorë. Ndërsa komuna e Zhelinës, sipas regjistrimit të vitit 2002, ka rreth 25 mijë banorë. Një numër i madh i popullsisë është shpërngulur në Tetovë e Shkup, kurse të rinjtë gjithnjë e më shumë po ikin në Perëndim. Shumë shtëpi të fshatit qëndrojnë të mbyllura, duke i pritur pronarët kur vijnë për pushimet e verës. Në të kaluarën e rëndë një pjesë e banorëve të këtij fshati kanë shkuar në Anadoll, të larguar nga politika shtypëse dhe sipas programit jugosllav për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi.

Shkolla e parë shqipe në Zhelinë është hapur në vitin shkollor 1941/1942. Një vit më vonë shkolla fillore “Drita” kishte përfshirë 196 nxënës, pa asnjë vajzë. Fshati Zhelinë ka shkollën fillore “Luigj Gurakuqi”, ku mësojnë mbi 600 nxënës. Pos shkollës fshati ka edhe postë, ambulancë dhe mbi 50 ndërmarrje të vogla ekonomike.

Por, Zhelina, që është qendër komunale edhe e 17 fshatrave tjerë, nuk ka një çerdhe për fëmijë. Në fshat është ndërtuar stadiumi i futbollit, ku funksionon klubi i futbollit “Liria”. Gjithashtu, është ndërtuar edhe Shtëpia e Kulturës dhe, në kuadrin e saj Qendra Rinore. Nga viti 1976 në Zhelinë vepron shoqëria kulturore artistike “Rinia”, e cila e kultivon me sukses këngën dhe vallen popullore të kësaj treve. Madje, Zhelina ka një orkestër dhe një kor të suksesshëm, që kultivojnë edhe muzikë klasike.

Në Zhelinë, që nga viti 2018, mbahet Festivali i Trashëgimisë Kulturore, ku shfaqet program i pasur kulturor, muzikor, letrar, humor, recitues e sportiv, ku shfaqen rite e lojëra tradicionale, si dhe këngë e valle popullore. Në kuadër të festivalit mbahet edhe një panair që ekspozon pasuri shpirtërore e materiale të traditës së zonës, si vegla të punës në bujqësi e blegtori dhe të kuzhinës tradicionale. Në Zhelinë veprojnë disa zyra të pushtetit qendror, si Njësia Rajonale e Ministrisë së Bujqësisë, Njësia Rajonale e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Njësia Rajonale e Agjencisë së Punësimit etj.

Komuna e Zhelinës ka pozitë të përshtatshme gjeografike, ka reliev kryesisht fushor dhe pak terren kodrinor – malor. Fshatrat e komunës, të njohura për bukuritë natyrore dhe për trashëgiminë kulturore, pos bujqësisë e blegtorisë, kanë kushte dhe mundësi të mëdha edhe për zhvillimin e turizmit fshatar dhe malor.

Të 18 fshatrat që e përbëjnë komunën, janë: Zhelina, Strimnica, Leshnica e Poshtme, Leshnica e Epërme, Treboshi, Pallatica, Ozurmishti, Debërca, Grupçini, Çifliku, Llërca, Kopaçindolli, Novosella, Rogla, Merova, Llukovica, Sallareva dhe Cerova. Të gjitha këto fshatra, të cilat nga ana provinciale i takojnë Fushës së Pollogut dhe Dervenit të Epërm, janë të banuara me popullsi shqiptare.

Zhelina, si fshat, po transformohet ngadalë në një vend të përparuar bashkëkohor. E ndodhur në tokë të begatshme, me fusha të gjera e me male të larta, me lumin mes përmes, duket se e ardhmja po i troket në derë. Nga e kaluara e vrazhdë deri te e ardhmja shkëlqyese Zhelinën e lidhë një urë e gjerë dhe e gjatë, siç i lidhë dy brigjet e lumit Vardar Ura e Zhelinës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Elcin Poyrazlar, Politico Nëse nëpunësit civilë në Ankara janë…