Zhgënjim me ecjen e ngadaltë në ndërtimin e shtetit

17 shkurt 2021 | 09:16

Euforia, e cila ka ekzistuar te qytetarët më 17 shkurt, 13 vjet më parë, kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj, nuk është më, thonë disa qytetarë të Prishtinës. Në vend të asaj euforie, siç thonë ata, mbretëron një dozë e madhe e zhgënjimit dhe dëshpërimit për ecjen tepër të ngadaltë në ngritjen dhe ndërtimin e shtetit.

Vigan Qorolli, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se vullneti i qytetarëve të Kosovës për ta pasur shtetin e pavarur është materializuar më 17 shkurt, 2008. Por, sipas tij, ata janë të zhgënjyer me elitat politike.

Ismail Hasani, profesor i Sociologjisë, thotë që zhgënjimi i qytetarëve, 13 vjet pas shpalljes së Kosovës shtet, është pasojë e mosrealizimit të pritjeve të tyre.

Realizimin e këtyre pritjeve dhe zhvillimin e proceseve të mëtejme në drejtim të konsolidimit të shtetit, sipas tij, qytetarët kishin shpresuar se do ta merrte përsipër lidershipi politik i Kosovës.

Disa qytetarë në Prishtinë, vlerësojnë se 13 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, nuk vërejnë të kenë ndodhur ndryshimet pozitive dhe zhvillimi i shtetit, për të cilat atëherë ishin të bindur se do të ndodhnin.

Suada Thaçi, punëtore në sistemin arsimor të Kosovës, thotë që 13 vjet më parë, shpalljen e pavarësisë e kishin pritur me mjaft shpresa për të ardhmen.

Por, sipas saj, politikanët në Kosovë, nuk e kanë kryer detyrimin e tyre për ta përparuar vendin dhe në vend të kësaj, siç thotë ajo, janë angazhuar për t’u pasuruar vet. E gjithë kjo situatë, vlerëson ajo, ka ndikuar në jetët e qytetarëve të zakonshëm të vendit.

“Normalisht që ka ndikuar në secilën celulë të shoqërisë, sepse nëse tri shtyllat kryesore të një shteti, siç janë: drejtësia, shëndetësia dhe arsimi, nuk janë siç duhet, atëherë, normalisht që pa këto tri shtylla, shteti nuk mundet të jetë i plotë”, theksoi Thaçi.

Ridvan Bunjaku, programues i teknologjisë informative, thotë se pas euforisë që ka qenë në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, më 17 shkurt të vitit 2008, në vitet që kanë pasuar ka pasur rënie të madhe të besimit të qytetarëve se shteti është në rrugë të mirë të ndërtimit.

E gjithë kjo sipas tij, ka ndikuar edhe në jetën e tij.

“Ka ndikuar jo drejtpërdrejtë, duke parë shumë të rinj dhe kuadro, të cilat i kam parë duke u ndërtuar këtu në Kosovë dhe duke dalë më pas jashtë vendit. Do të thotë e kemi, siç quhet, një rrjedhje të trurit. Po mendoj që politikën e kanë marrë në dorë njerëzit që nuk kanë qenë të këtij profili. Njerëzit e mençur dhe intelektualët kanë qenë në gjumë dhe ju ka mbetur hapësira njerëzve të tjerë, të cilët ndoshta edhe janë patriot, por nuk kanë ditur”, u shpreh Bunjaku.

Fatmir Bekqeli, jurist i pensionuar, thotë se tash e 13 vjet, që nga shpallja e pavarësisë së vendit, nuk ka vërejtur ndryshime të mëdha pozitive në vend.

“Ndryshime, realisht, nuk ka kurrfarë. Me pesë palë zgjedhje (që nga shpallja e pavarësisë së vendit) tregojmë që jemi përfundimisht të papërgatitur që të formojmë një shtet të qëndrueshëm. Vet kjo i riprodhon edhe pengesat në zhvillim, në arsim, në punësim. Ka tetë vjet që jam pensionist dhe kurrfarë ndryshimi nuk ka në mirëqenien e pensionistëve”, theksoi Bekqeli.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link:

https://www.evropaelire.org/a/zhgenjim-pervjetori-i-13-i-pavaresise-/31106325.html

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Garda Ceremoniale e FSK-së ka bërë ngritjen e flamurit shtetëror…