Zhgënjimi me luftëtarët që e “vodhën” idealin e luftës
Represioni dhe dhuna serbe mbi shqiptarët e Kosovës, e kishin shtyrë Arben Bobanin nga Gjakova që t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sakrificë kjo që u kthye në një dramë jetësore për djaloshin 20 vjeçar aso kohe.
Ushtari i ri, i cili kishte energji dhe vullnet të madh në vijën e frontit, plagoset rëndë në nofull edhe krah, në betejën e fshatit Prilep, gjë e cila padyshim e kishte stopuar aktivitetin e tij luftarak. Por, rrjedha e jetës së tij do të merrte kahje krejt tjetër në momentin kur në fshatin Isniq, i braktisur nga ata që deri atëherë kujdeseshin për të plagosurit, Arbeni së bashku me shtatë të plagosur tjerë, u zënë robër nga forcat serbe.
Copëzat e dhimbjes nga ajo që ka kaluar, duke e parë disa herë vdekjen në sy, me shume detaje tjera, ai i ka shpalosur në një intervistë për Telegrafin.
“Pas kapjes prej tyre e patëm një fat në fatkeqësi, kur erdhi Kryqi i Kuq pas tre minutave, sepse unë i kuptova se serbët donin të na ekzekutonin. Kemi qenë shtatë persona. Me na ka qenë Yll Morina, Hero i Kombit, ka qenë Gjokë Ndreca, i cili pastaj u vra në Dubravë, ka qenë Valon Gexha, Arbër Spahija, do të thotë ne katër prej Gjakovës. Unë përfundova në Spitalin e Prishtinës me Arbër Spahinë, Arbër Gexhen, Naim Cufën dhe Yll Morinën. Ylli ishte në gjendje të keqe, sepse ishte i plagosur në pjesën e poshtme të trupit, prej barkut e krejt pjesën e poshtme, ku ai kish nevojë për trajtim ma të madh mjekësor se ne të tjerët. Mua përveç infeksioneve, unë isha i fortë, këmbët i kisha të forta, Ylli kish nevojë për ta bartur, e gjatë kohës që e bartnin serbët e kanë malltretuar. Në Prishtinë, në një gjysmë trajtimi mjekësor kemi kaluar një torturë psiqike të jashtëzakonshme, ka edhe shumë dëshmitarë që i kanë kaluar këto momente. Aq shumë na kanë maltretuar sa që nuk mundem ta shpjegoj”, ka theksuar Bobani, për Telegrafin.
Ai ka treguar së gjatë kohës që po qëndronin në Prishtinë, Kryqi Kuq aso kohe kishte arritur që disa nga ata që ishin zënë robër nga serbët të liroheshin, derisa ai ishte i vetmi që kishte qëndruar në burg, ku në anën tjetër bashkëluftëtari Yll Morina dhe Gjokë Ndreca kishin ndërruar jetë.
“Unë nuk qëllova aty, në atë repart, kur Kryqi i Kuq ka arritur një marrëveshje me serbët për t’i transferuar disa prej të burgosurve. Kështu përfundova në SUP-in aso kohe të Gjakovës. Mos të flas për aty, nuk kam koment si i kam kaluar katër netë. Prej aty fillova burgun i rregullt në Pejë. Ka qenë 15 tetori i vitit 1998. Në Pejë kam qëndruar deri në Mars të vitit 1999, pak para bombardimeve. Në vetmi kom qenë për një kohë të gjatë”, ka thënë Bobani.
Duke vazhduar rrëfimin e tij, ai ka theksuar se në mars të vitit 1999 ka përfunduar në burgun e Dubravës, pikërisht në ditët kur filluan bombardimet, ku sipas tij, ato ishin ditët e tmerrshme që i ka përjetuar.
“Ishim afër 900 të burgosur të vendosur aty. Bombardoi NATO përreth burgut, por e bombardoi edhe objektin ku ishim ne. Njihej si Paviloni C. Aty në fakt i plagosi edhe disa persona. Ato kanë qenë prej bombave të NATO-s. Ne ishim fqinj dhomës. U hap dera. Kanë qenë momente tmerruese, sepse i nxjerrnim prej gërmadhave disa të plagosur nga dhoma tjetër, aty ku kishte rënë bomba. Ka qenë aty, e kam njohur vetëm Gjergj Karaçin, sot është gjallë. Ka qenë i plagosur rëndë. Tjerët nuk i njoha. I thyem dyert ashtu si mundëm, na ndihmuan edhe prej paviloneve tjera, dolëm prej atij objekti. Qëndruam në oborr afër 9,00 persona, të burgosurit serbë u larguan, u veshën, u uniformuan, sepse ne i njihnim të burgosurit serbë, sepse ata e shpërndanin bukën. I njihnim në bazë të tatuazheve. NATO bombardonte përreth për shkak se në rreth të burgut ishte baza ushtarake. Por, pas pak filluan bombardimet edhe në brendi. Nga Paviloni C deri të kuzhina – pjesa e poshtme – nga bombardimet e NATO-s, kanë vdekur rreth 15 persona, derisa janë plagosur disa të tjerë”, ka thënë Bobani.