Zhiviq thotë se janë zgjeruar mbështetjet në sektorin e bujqësisë në Junik
Projektet bujqësore të fermerëve të Komunës së Junikut do ta kenë mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Kështu është shprehur ministrja e MBPZHR-së, Dijana Zhiviq, gjatë takimit që pati sot me kryetarin e Komunës së Junikut, Agron Kuçi, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet në sektorin e bujqësisë, si dhe për programet zhvillimore të ministrisë.
Në këtë drejtim, siç thuhet në komunikatën për media, ministrja e njoftoi kryetarin më hollësisht për Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2019 dhe për skemat e mbështetjes, përmes të cilave ajo tha se kanë zgjeruar mbështetjen për shumë sektor të bujqësisë.
Ministrja Zhiviq, theksoi se në programet e këtij viti do të gjejnë mbështetje edhe fermerët e komunës së Junikut dhe me këtë rast ajo ka rikonfirmuar gatishmërinë e saj për të thelluar bashkëpunimin me këtë komunë, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sektorit të bujqësisë në këtë rajon.
Nga ana e tij, kryetari i Junikut, Agron Kuçi, e njoftoi ministren edhe për sfidat dhe të arriturat në këtë sektor dhe me këtë rast shprehi përkushtimin e tij për të realizuar projekte zhvillimore në këtë sektor.