Zhongleri Agim Agushi do të tentojë rekord të ri ‘Guinness’ në qytetin e Mitrovicës
Zhongleri i njohur shqiptar nga Vitia, Agim Agushi, do të tentojë vendosjen e një rekordi të ri ‘Guinness’ në qytetin e Mitrovicës.
Agushi sot është pritur në këtë qytet nga nënkryetari i komunës, Faruk Mujka.
Në njoftimin e lëshuar nga faqja zyrtare e komunës së këtij qyteti, gjithashtu bëhet e ditur se ky eveniment do të organizohet të martën (18 gusht) me fillim nga ora 18:00.
Më poshtë njoftimi zyrtar:
Rekordi “Guinness” dedikuar viktimave dhe të prekurve me virusin COVID-19
Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, së bashku me zhongluesin e mirënjohur nga Vitia, Agim Agushin, sot kanë mbajtur konferencë për media lidhur me organizimin e garës për tentim shënimin e rekordit të ri “Guinness” në qytetin e Mitrovicës.
Në fjalën e tij nënkryetari Mujka, ka potencuar se komuna dhe qytetarët tanë ndihen krenar me organizimin e një gare të tillë në qytetin e Mitrovicës, dhe se shënimi i rekordit të ri “Guinness” do t’u dedikohet të gjithë viktimave dhe të prekurve me virusin COVID-19, që ka kapluar jo vetëm Kosovën por gjithë botën.
Po ashtu ai ka ftuar të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në organizimin e kësaj gare, e cila do të mbahet tek hapësira e Liqenit Akumulues, të martën, me datë 18.08.2020, duke filluar nga ora 18:00.
Ndërkaq zhongluesi, Agim Agushi, fillimisht falënderoi kryetarin dhe nënkryetarin për mikpritjen dhe përkrahjen e treguar në organizimin e kësaj gare të rëndësishme jo vetëm për të, por edhe komunën në përgjithësi, të cilët nuk hezituan aspak në mbështetjen e garës me të gjitha kushtet dhe kriteret që duhen për të fituar këtë garë.
Gjithashtu zhongluesi Agushi, bëri të ditur se kjo garë e cila do të mbahet javën e ardhshme do të realizohet në disiplinën ecje prapa duke zhungluar me top në kokë pa ndërprerje, minimum 2 km për 60 minuta.