‘Zhvatje të parave dhe sjellje kriminale’, avokati i Nasim Haradinajt kërkon hetim kundër Jack Smithit
Dosja e dërguar në Departamentin e Drejtësisë në Amerikë kundër ish-prokurorit të Specializuar të Hagës, Jack Smith, ka marrë vëmendje edhe në Gjykatën Speciale. Akuzat se Jack Smith “ka zhvatur para dhe është përfshirë në sjellje kriminale”, po kërkohet të hetohen nga Prokuroria e Hagës.
Avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman, i është drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese të Speciales në Hagë. Ai ka kërkuar që të hetohet një dosje ku ish-prokurori i Specializuar, Jack Smith, akuzohet për zhvatje të parave dhe përfshirje në skema të dyshimta kriminale.
Kjo dosje ishte dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë nga ish-agjenti federal për hetimin dhe ndjekjen e krimeve financiare, John Moynihan.
Avokati i Haradinajt në kërkesën e tij drejtuar Dhomave të Specializuara, ka kërkuar hetim kundër ish-kryeprokurorit, Jack Smith, raporton “Nacionale”.
“Ankesa e sinjalizuesit paraqet prova të sjelljes së rëndë kriminale të ish-prokurorit të Specializuar. Konkretisht, ai thuhet se ka qenë i përfshirë në skema për të akuzuar ish-presidentin Hapshim Thaçi për të sabotuar një takim në Shtëpinë e Bardhë, për të zhvatur para nga [Redaktuar] duke e kërcënuar me procedim penal dhe për të trajnuar [Redaktuar] për të bërë deklaratat për Prokurorinë dhe për të nxjerrë dosjet për krimet e luftës në mënyrë që të merren para nga ata që përmenden në to”.
“Është e rëndësishme të theksohet në këtë fazë se këto janë akuza që janë shfaqur së fundi në domenin publik dhe se ato do të duhet të hetohen siç duhet nga SPO. Deri në këtë pikë, PSP-ja nuk tregoi në komunikimin e saj të datës 18 dhjetor 2023 për mbrojtjen nëse këto çështje janë duke u hetuar aktualisht nga PSP-ja”.
“Këto aktivitete të supozuara të ish-prokurorit të Specializuar përforcojnë qëndrimin e mbajtur nga parashtruesi në kërkesë (dhe në gjykim dhe në apel) se mënyra e veprimit të PSP-së ishte diskriminuese, e motivuar politikisht dhe jo e pavarur”, është thënë në kërkesën e avokatit të Nasim Haradinajt.
Avokati i Nasim Haradinajt e përmend edhe faktin se në dosjen e Moynihan, ka dyshime lidhur me faktin se si kanë shkuar dosjet në Organizatën e Veteranëve të Luftës, për të cilat më pas u akuzuan Hysni Gucati e Haradinaj.
“Së dyti, Ankesa e Sinjalizuesit ofron dëshmi të rrethanave në të cilat tri grupe dokumentesh iu dorëzuan Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shtator 2020. Në këtë mënyrë forcon provat e referuara në kërkesë në mbështetje të parashtresës së parashtruesit se kurthja/nxitja nuk ishte plotësisht e pamundur”.
“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese është e vetmja dhomë e specializuar aktualisht për këtë çështje. Rregulli 23 (1) i Rregullores së Punës dhe Provave të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese parashikon: Kolegji i Gjykatës Kushtetuese mund të pranojë prova dhe të japë udhëzime që i konsideron të nevojshme për përcaktimin e duhur të kërkesës. Për arsyet e sipërpërmendura, i kërkohet Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese të pranojë si provë ankesën e sinjalizuesit”, është thënë në kërkesën e avokatit të Haradinajt.
Një dosje kundër Jack Smith, ish-prokurorit të Specializuar të Hagës është ngritur në Departamentin e Drejtësisë.
Atë e ka bërë ish-agjenti federal për hetimin dhe ndjekjen e krimeve financiare, John Moynihan.
Sipas dosjes, Jack Smith ka udhëhequr skemë korruptive lidhur me Gjykatën Speciale të Hagës.
Në tekst është aluduar se ish-prokurori special për hetimin dhe ndjekjen penale të ish-krerëve të UÇK-së ka kërkuar ryshfet prej “100 milionë dollarëve” nga “një kryetar shteti” në mënyrë që të lirohet nga akuzat e pretenduara për krime lufte, duke mos përmendur në mënyrë specifike se për cilin “kryetar shteti” dhe cilin rast bëhet fjalë.
Krejt kjo është vetëm bazuar në dokumente të cilat ende nuk janë vërtetuar.
Paul Sperry, gazetar dhe kolumnist i tabloidit konservator amerikan New York Post, ka njoftuar nëpërmjet platformës “X” të mërkurën se tashmë në DOJ është dorëzuar një dosje kundër Smithit, në të cilën pretendohet se ai është përfshirë një një “skemë të zhvatjes” së miliona dollarëve nga individë të pasur për t’i liruar nga akuzat për krime lufte.