Zhvendoset përkohësisht pika doganore në Glloboçicë
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka bërë me dije se pas ndalimit të qarkullimit rrugor në N 2, segmenti Kaçanik – Hani i Elezit, në koordinim të plotë me ministritë e linjës, Ministrinë e Financave, ka marrë vendim që të zhvendosen përkohësisht pika doganore, në pikën kufitare Glloboçicë.
Ky vendim sipas Lekajt, ka ardhur për faktin që të mos krijohen kolona dhe pritje të gjata për transportuesit e mallrave dhe qytetarëve. “Sot kam biseduar me ministrin për Transport dhe Lidhje të Maqedonisë, Goran Sugareski, me të cilin mbeti e hapur mundësia e një takimi për të qenë sa më të koordinuar në të dyja anët e kufirit”, ka shkruar Lakaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Po ashtu, ministri Lekaj ka treguar se për këtë çështje ka biseduar me ambasadorët, atë të Maqedonisë në Kosovë dhe të Kosovës në Maqedoni, për të qenë në koordinim të plotë të dyja shtetet që kjo situatë e përkohshme të menaxhohet sa ma mirë.
Më tej, Lekaj ka theksuar se për çdo zhvillim do të jenë bashkë në krye të detyrës me të gjitha kapacitetet e tyre ministrore që të tejkalohet kjo situatë.
/Epoka e re/