Zhvillime të pas kryengritjes në Kosovë dhe roli i Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut në LKSH

31 tetor 2019 | 16:40

Shkruan: Mehmet HAJRIZI

Në 30-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut (2)

1. Nga fjala ne vepër, thoshte Tito dikur. Që nga viti 1981 dhe deri më 1984, kur më 11 janar bien heroikisht dy korifenjtë e shquar të LKSH, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha dhe vetëm një muaj pas, më 8 shkurt edhe veprimtari Bajram Bahtiri, kurse më 14 të po këtij muaji arrestohet heroi i ardhshëm, Afrim Zhitia, sipas shënimeve zyrtare, u dënuan penalisht katër mijë veta për veprimtari çlirimtare në Kosovë. Le të shtojmë këtu që brenda viteve 1981-1990 në Kosovë policia dhe ushtria jugosllave kanë vrarë 183 shqiptarë (prej tyre 16 fëmijë) dhe kanë plagosur me armë zjarri 616 të tjerë. Për demonstratat e vitit 1981 janë shqiptuar më shumë se 50 shekuj burg për qytetarët e Kosovës.
Një fushatë sulmesh të egra, të denja për mesjetën, u organizua kundër kulturës, historisë, arsimit, inteligjencies dhe çdo vlere shqiptare.

2. Përballë këtij terrori, LKSH nuk u mposht as nuk u ndal. OMLK qysh gjatë kryengritjes kishte hartuar në maj të vitit 1981 një dokument programatik për formimin e një fronti të përbashkët të të gjitha subjekteve të LKSH dhe qytetarëve të tjerë patriotë, me titull “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”.
Në vitin 1982 u arrit bashkimi i disa organizatave në një front të quajtur “Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi”, e cila veproi suksesshëm me emërtimet LPRK (Lëvizja për Republikën e Kosovës” dhe më vonë LPK (Lëvizja Popullore e Kosovës). Kjo organizatë, e shtrirë brenda dhe jashtë vendit e me përvojë të gjatë, botonte vite me radhë organin “Zëri i Kosovës” dhe njihet si themeluese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e së cilës edhe me mbështetjen ndërkombëtare i dha fund sundimit serb e jugosllav në Kosovë. Afrim Zhitia që në vitin 1980, bashkë me një grup të rinjsh kishte filluar të vepronte në kuadrin e OMLK-së, për të qenë pastaj bashkë me Fahri Fazliun në frontin LRSHJ dhe LPRK.

3. Pas vitit 1981 Lëvizja e goditur rëndë, u ripërtëri dhe u rimëkëmb, jo nga e para, por mbi bazën e strukturave të ndërtuara organizative dhe të përvojës së pasur të deriatëhershme. Brenda në Kosovë po vepronin, përveç LPRK edhe shumë organizata të tjera, si vazhdimësi e organizimit më të hershëm, ose si themelime të reja.
Pas GRK-së së themeluar në fillim të viteve shtatëdhjetë, në periudhat vijuese para dhe pas kryengritjes më 1981, janë formuar edhe shumë organizata të tjera çlirimtare, si Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi (PKMLSHJ), Lëvizja për Çlirim Nacional dhe Social e Kosovës (LÇNSK), Fronti i Kuq Popullor (FKP), ALBANIKOS, Partia e Luftës e Kosovës (PLK), Fronti Nacional-Çlirimtar (FNÇ), Kushtrimi i Lirisë (në Maqedoni), Marksistë-Leninistët e Kosovës, (MLK), OMLK e riformuar, Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) e shumë të tjera të formuara brenda dhe jashtë vendit.

4. LKSH e kësaj dekade kishte si mjet veprimi edhe një shtyp klandestin të admirueshëm dhe të larmishëm. Praktika e shtypit klaandestin kishte filluar më 1974 nga Grupi Revolucionar i Kosovës, me revistën “Zëri i Kosovës”, për t’u pasuruar shpejt edhe me një varg organesh të shtypit, trakte politike, thirrje dhe komunikata, botime të veçanta etj., të cilat i jepnin zë LKSH dhe siguronin komunikimin më adekuat midis saj dhe publikut të brendshëm e të huaj. Gjurmë të pashlyshme në historinë e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare kanë lënë organet e shtypit klandestin të LKSH, si Liria, Lajmëtari i Lirisë, Bashkimi, Revolucioni, Zëri i Atdheut, kurs nga viti 1982 LRSHJ-LPK gjatë gjithë dekadës e botoi organin Zëri i Kosovës në qindra numra dhe dhjetëra mijë ekzemplarë. Organe të tjera dhe buletine të shumta ishin edhe Rruga e Lirisë (Afrim Zhitia, Fadil Vata, Fahri Fazliu), Minatori, Pararoja, Kushtrimi i lirisë, Informatori, Çlirimi dhe dhjetëra të tjerë. Ndërkaq, gjatë viteve tetëdhjetë, LPRK ngriti tetë radio lokale në mërgatë.

Në Lëvizjen Kombëtare të Kosovës gjatë kësaj periudhe, shtypi klandestin dhe botimet e veçanta u bënë mjet i pazëvendësueshëm për përhapjen e ideve të lirisë, demaskimin e politikës shtypëse e shfrytëzuese të regjimit pushtues në Kosovë dhe informimin objektiv të qytetarëve e zgjimin kombëtar shqiptar. Nëpërmjet të shtypit të saj, Lëvizja Kombëtare Shqiptare i mbronte e kultivonte vlerat e traditës luftarake shqiptare, edukonte atdhedashurinë, frymën e sakrificës, trimërinë e virtyte tjera të larta njerëzore e kombëtare.

5. Afrim Zhitia më 1984 ishte arrestuar si pjesëtar i Fronti Nacional-Çlirimtar (FNÇ), për t’u dënuar në moshë të njomë, me tetë vjet burg, nga të cilat i mbajti katër. Pas katër viteve burgimi, ai më 1988 kthehet në Kosovë, tashmë i formuar si drejtues profesionist dhe revolucionar. Me të dalë nga burgu i gjeti shokët e tij në krye të detyrës. Fahri Fazliu që ishte shumë aktiv në këtë periudhë vuri kontakt me Afrimin, ngjashëm siç ishin lidhur për të mos u ndarë kurrë edhe heronjtë Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, më 1983. Regjimi e kishte arrestuar Afrimin në shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe fill pas burgut e ktheu përsëri atje, por duke pasur parasysh zhvillimet dramatike në Kosovë, ai arratiset dhe kalon në konspiracion të thellë. Afrimi në burg ishte i vetëdijshëm se pas mbarimit të dënimit, nuk do t’i kthehej jetës së qytetarit të rëndomtë dhe punës për mbijetesë, por frontit të hapur, sepse atje do t’i gjente shokët e vet në llogoret e tij.

6. Gjatë viteve 1988-1989 veprimtarët më të dalluar në Kosovë që praktikisht e morën drejtimin e LPRK-së ishin: Fadil Vata, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Ahmet Haxhiu, Ali Ajeti, Bedri Sokoli etj. Fahriu dhe Afrimi u angazhuan me tërë kapacitetin e tyre për zgjerimin e radhëve të Lëvizjes dhe forcimin organizativ të saj. Ata vepronin pareshtur në terren, duke formuar këshillat popullorë, si në Ferizaj, Lipjan, Podujevë, Gjilan, në Maqedoni e Mal të Zi etj.

Fahri Fazliu, ose Fatmiri, siç e quanin zakonisht, shquhej më shumë për organizim dhe veprimtarinë e kishte shtrirë edhe jashtë vendit, që nga Zagrebi deri në Bukuresht. Fahriu nuk shkruante shumë, siç bënte Afrimi, por janë të njohura tri pikëpamje të tij për çlirimin e Kosovës. Në përputhje me zhvillimet demokratizuese në rajon, ai paraqiste strategjinë e tij në dy shtylla: Ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe zgjidhjen eventuale të saj në rrugë paqësore, nëpërmjet të një referendumi, në të cilin do të deklarohej vullneti i shqiptarëve për të jetuar të lirë dhe të pavarur. Por, në rast se nuk do të arrihej çlirimi me mjete paqësore, ai kishte pikëpamjen e tretë të zgjidhjes së nyjës, me kryengritje të armatosur.

7. Fundi i viteve tetëdhjetë e kishte acaruar gjendjen, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin. Kampi socialist po shembej si gurët e dominos. Në këtë proces në Evropën Lindore, diku nëpërmjet të tronditjeve të fuqishme, e diku më qetë, shtetet ish-socialiste, si Polonia, Çekosllovakia, Rumania, Hungaria, RD e Gjermanisë (1989), BRSS, Shqipëria, Bullgaria (1990) etj., po transformoheshin me shpejtësi, duke humbur partitë komuniste rolin e tyre hegjemon dhe vetë sistemin monist. Pati dhe ngjarje të tjera historike që ndikuan fuqishëm në zhvillimet botërore të fund dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, si shembja e Murit të Berlinit, tërheqja e trupave sovjetike nga Afganistani dhe e trupave vietnameze nga Kamboxhia (1989), bashkimi i Gjermanisë etj. Vetëm një javë pas rënies së Afrimit dhe Fahriut, më 9 nëntor 1989 u shemb muri i Berlinit.

Rajoni karakterizohej nga lufta për çlirim nga ideologjia komuniste dhe totalitarizmi, por popujt me të drejtat e mohuara kombëtare, përpjekjet i drejtonin më parë për pavarësinë kombëtare, shtetin nacional dhe sovranitetin.
Diktatori serb, Milosheviq që në fakt e kishte shpallur luftën ekspansioniste, i dha erë baroti gjithë Federatës jugosllave. (Vijon)

* Fusnotat e këtij fejtoni i ka hequr redaksia

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Mehmet HAJRIZI Në 30-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë…