Zhvillimet e fundit në Federatën e Futbollit, flasin Ademi dhe Ahmeti
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i është kundërpërgjigjur Arianit Ahmetit, pasi ky i fundit paralajmëroi se ka mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e tij.
Ahmeti, i cili nga 1 janari i vitit 2017 e mban postin e zëvendëssekretarit të FFK-së e ka konfirmuar për Express kandidimin e tij për kryetar të FFK-së.
“Zyra Ligjore e MKRS-së e tha fjalën e vet kështu që Kuvendi Zgjedhor i FFK-së duhet të mbahet. I takon sekretarit Eroll Salihu ta ftojë Kuvendin. Ai tashmë po bën shkelje sepse kësaj kryesie mandati i skadon më 15 janar, kurse Kuvendi Zgjedhor duhet të thirret dy muaj më herët”.
“Unë nuk kam kërkuar nënshkrime. Çdo ditë kam shkuar i pari në punë, në FFK, dhe i fundit kam dal nga aty. Është një grup i delegatëve, i klubeve, që e kërkon kandidimin tim. Ata më kanë thënë se i kanë tubuar 41 nënshkrime nga 59 delegatë sa ka FFK-ja. Nëse Eroll Salihu nuk e fton Kuvendin e ftojnë vet delegatët. Kështu që meqë e kam marrë këtë përkrahje nga klubet, nga delegatët, është normale të kandidojë”, ka thënë ndër të tjera zëvendëssekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ndërkohë, kryetari i këtij organi Agim Ademi, i kontaktuar nga lajmi.net, ka thënë se nuk është në dijeni për këto nënshkrime por nëse është e vërtetë, ai e pranon vullnetin e delegatëve.
“Nuk e di, nuk ka asgjë zyrtare për këto nënshkrime. Por nëse është ashtu, unë do ta respektoj vendimin e delegatëve”, ka deklaruar i pari i Federatës për “Lajmi.net”. “Delegatët janë ata që zgjedhin postin e kryetarin dhe vetëm ata mund të vendosin nëse unë duhet të shkarkohem. Cilido të jetë vendimi i tyre, unë jam i gatshëm ta pranojë”, përfundoi Ademi.
Kujtojmë se në mediet tona raportohej qysh para një jave se Arianit Ahmeti veçse ka filluar të kontaktojë delegatët e klubeve kosovare, duke i kërkuar nënshkrimet e tyre për kandidimin e postit të kryetarit në FFK. KF Dukagjini nga Klina ishte klubi i parë që reagoi, duke thënë se ata e mbështesin plotësisht kryetarin e tanishëm dhe nuk do bien pre e asnjë individi dhe grupacion të caktuar dashakeq”, duke aluduar te Ahmeti. Tashmë situata nuk është aspak e qetë në organin më të lartë të futbollit vendor, por se çfarë do të ndodhë, mbetet të shihet shumë shpejtë.