Ziadin Sela mbështet Kurtin në zgjedhjet e 6 tetorit
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela, ka dalë publikisht në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti për zgjedhjet e 6 tetorit.
Sela në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se është në dorën e qytetarëve të Kosovës që më 6 tetor ta përkrahin Vetëvendosjen.
Postimi i plotë i Selës:
“Shkenca përparon pas çdo funerali”
Është shprehje e famshme e fizicentit nobelist gjerman, Max Planck. Me këtë ai nënkuptonte se vetëm kur një gjeneratë largohet vijnë në shprehje teori të reja, të cilat çrrënjosin të vjetrat dhe natyrisht sjellin zhvillim.
Kështu ndodh me shkencën dhe shkencëtarët, kështu ndodh në jetë, në mes prindërve dhe fëmijëve! Politika nuk bën përjashtim nga ky rregull. Me fjale të tjera, elementi bazë i çdo demokracie të konsoliduar është, ndryshimi! Në qoftë se nuk ndodh ndërrimi i konceptit politik që qeveris, demokracia shndërrohet në monizëm funksional me një sistem pluripartiak, që shërben vetëm për dekor.
Pasojat patjetër se do të jenë, kapja e shtetit, jo transparenca , politizimi i gjyqësorit, mungesa e sigurisë, korrupsioni degradimi i arsimit dhe shëndetësisë, klientelizmi, shthurja e shoqërisë, zhgënjimi, pesimizmi, vrasja e shpresës – migrimi.
Ndryshimi nga ana tjetër e sjell në shprehje llogaridhënien, e vë përpara përgjegjësisë ata që kanë abuzuar me pushtetin në të kaluarën dhe jep mesazh për të gjithë ata pushtetarë, që do të guxojnë në të ardhmen. Bën që të ndjehen të përfaqësuar edhe ajo shtresë e popullit, që deri dje ka qenë e papërfaqësuar, kthen shpresën.
Ne shqiptarët kemi nevojë për ndryshim. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut gati 18 vite jetojnë në monizëm, të pashpresë, me shkolla që zbrazen çdo ditë, me të rinj që marrin rrugën e mërgimit.
Shqiptarët në Kosovë në zgjedhjet e 6 tetorit janë përpara mundësisë për të sjellë ndryshimin, për ta bërë Kosovën më të lirë, më demokratike më të drejtë, më normale.
Unë s’kam dilemë se Albin Kurti dhe Vetëvendosje, mund ti ofrojnë Kosovës (dhe jo vetëm) shumë më shumë nga çka kam shkruar më sipër, por kjo nuk është në dorën e Albinit tanimë. Është në dorën tuaj ta përkrahni atë më 6 tetor. Në fakt jo atë por ndryshimin dhe shpresën për shqiptarët.