Ziadin Sela thirrje “VLEN”-it: Hajdeni te ne, t’ia tregojmë vendin Mickoskit
Sela ka thënë se “Fronti Evropian” nuk e ka synim me çdo kusht pushtetin.
Ziadin Sela, njëri nga liderët e “Frontit Evropian”, i ka bërë thirrje koalicionit “VLEN”, që të bëhen pjesë e Frontit, pasi që, sipas tij, vetëm kështu ky koalicion bëhet kuptimplotë dhe, së bashku, t’ia tregojnë vendin kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoksi.
Këto komente, Sela i ka bërë në konferencën “100 ditë skandale, nënçmime, poshtërime, dështime”, e cila shënoi nisjen e fushatës opozitare të “Frontit Evropian”, të cilët ndonëse fituan zgjedhjet në taborin shqiptar u lanë jashtë qeverisë së RMV-së.
Ai ka bërë të qartë se koalicioni ku bënë pjesë nuk e ka për qëllim që të jenë domosdoshmërisht në pushtet.
“Ne nuk jemi histerik për pushtet, ajo çka ne ju themi juve është: nuk vijmë ne te pushteti, hajdeni ju te ne, ta bëjmë Frontin taman kuptimplotë e të ia tregojmë vendin Hristijan Mickoskit, duke ia treguar linjat e kuqe se si dhe deri ku ka të drejtë që të merret dhe të sillet me këtë popull”, ka deklaruar Sela.
Në këtë konferencë ka folur edhe lideri i “Frontit Evropian”, nëjherit kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se “Fronti Evropian” nuk është i interesuar që të bëhet pjesë e qeverisë së Hristjan Mickoski, pasi që ata nuk janë gomë rezervë.
Ai ka potencuar se “Fronti Evropian” është përfaqësuesi legjitim i shqiptarëve, derisa përmendi faktin se koalicioni “VLEN” nuk i ka fituar zgjedhjet, paçka se është bërë pjesë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut si përfaqësues i shqiptarëve.
“Ne jemi përfaqësues legjitim të shqiptarëve, nuk i kanë fituar zgjedhjet, një ditë do t’ua bëjmë 8 me 2, dalim vendvotim më vendvotim se si shqiptarët kanë votuar Frontin Evropian”, tha Ahmeti.
Kreu i integristëve ka ritheksuar se shqiptarët në Maqedoni të Veriut janë subjekt dhe jo objekt, duke shtuar se aktualisht shqiptarët përfaqësohen nga “objekti” me emrin “VLEN”, që, sipas tij, nënkupton “njëjtë si një gurë që e rregullon ‘ustahi’ siç donë ai vetë”.