Zidane e thumbon Barcelonën për titujt e La Ligës
Trajneri Zinedine Zidane beson se Real Madridi mbetet ekipi më prestigjioz në La Liga, përkundër sukseseve të Barcelonës gjatë kohës së fundit në ligën spanjolle.
Real Madridi i ka fituar 33 tituj të La Ligës, më shumë se çdo klub tjetër në histori të ligës spanjolle.
Megjithatë, madrilenët kanë mbetur shumë prapa rivales së tyre këtë sezon.
Epërsia prej 12 pikëve ndaj Atletico Madridit dhe 16 pikëve ndaj Real Madridit, bën që Barcelona të jetë shumë afër titullit të 26-të të La Ligës, i cili do të jetë po ashtu titulli i tyre i katërt i ligës në pesë sezonet e fundit.
Edhe pse skuadra e Real Madridi nuk ka arritur të jetë në garë për titullin e kampionit të Spanjës këtë sezon, ata kanë shkruar histori së fundi, duke i fituar tre tituj radhazi të Ligës së Kampionëve.
Zidane e pranon se La Liga është titulli më i rëndësishëm që “Los Blancos” mund ta fitojnë, mirëpo ai insiston se dominimi i Barcelonës gjatë sezoneve të fundit nuk ia ul prestigjin klubit madrilen.
“La Liga është shumë e rëndësishme. Është synimi ynë ditor. Do të jetë synimi ynë edhe për sezonin e ardhshëm”, është shprehur Zidane në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Getafes.
“Ne i kemi 33 tituj të La Ligës. Sa i ka Barcelona? Është e vërtetë që ata kanë bërë punë të mirë gjatë viteve të fundit dhe ne duhet ta pranojmë këtë, por, në histori, ne kemi më shumë tituj. Për mua, La Liga është titulli më i rëndësishëm’. /Gazeta Express/