Zidane, favorit absolut për trajner të Francës
Zinedine Zidane lidhet me një rikthim në futboll afro katër vjet pas ndeshjes së tij të fundit.
“Zizou” e mbylli eksperiencën e dytë me Real Madridin në vitin 2021 pasi dështoi të fitonte trofe në sezonin e fundit në “Santiago Bernabeu”.
Mesfushori legjendar e kishte fituar tri herë radhazi titullin e Ligës së Kampionëve me Realin në eksperiencën e tij të parë, ndërsa e kishte ngritur lart edhe trofeun e La Ligas, në vitet 2017 e 2020.
Ai lidhej me shumë kalime të mundshme në klube evropiane nga ajo kohë, ndërsa ishte favorit për të zëvendësuar Erik ten Hag te Manchester United.
Sidoqoftë, “Djajtë e Kuq” preferuan në fund të shkojnë me trajnerin Ruben Amorim nga Sporting Lisbona. Sidoqoftë, mediat franceze raportojnë se Zidane është më afër se kurrë më parë që t’i kthehet menaxhimit në futboll, por jo në nivel klubesh.
“Le Parisien” raporton se ish-futbollisti i Juventusit e Real Madridit është favorit për ta marrë pozitën e Didier Deschamps si trajner i Kombëtares së Francës. Ideja është që Zidane ta zëvendësojë Deshampsin pas Kupës së Botës 2026, ndërsa mediumi “L’Equipe” raporton se trajneri aktual do ta mbajë sot një konferencë për shtyp për ta zbuluar vendimin që të largohet nga “Trekolorët” pas garës që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada e në Meksikë vitin e ardhshëm.
Deschamps e kishte marrë në dorë Kombëtaren që nga viti 2012 dhe është njëri prej teknikëve më të suksesshëm në histori të Francës, duke u bërë vetëm trajneri i tretë që e fiton Kupën e Botës, si lojtar dhe si trajner.