Zidane largohet nga Real Madridi
Pas tre sukseseve radhazi në Ligën e Kampionëve, Zinedine Zidane duket se do t’i japë fund karrierës së tij në drejtimin e “galaktikëve”.
Trajneri i Real Madrid ka thirrur një konferencë urgjente për shtyp, por pa dhënë arsye. I shoqëruar nga presidenti i Florentino Perez, Zidan u ka komunikuar gazetarëve largimin e tij nga drejtimi i Real Madridit.
“Për shumë persona dorëheqja ime nuk ka kuptim, por për mua po. Nuk e ndjej që mund të fitojmë sërish. Pas tre viteve që kemi fituar Ligën e Kampionëve, mendoj se është momenti për një ndryshim, si për mua si për lojtarët. Besoj se është gjeja e duhur”, ka thënë Zidane.
Dorëheqja e Zidane nga Reali nuk duket se është ndikuar nga ndonjë klub tjetër, pasi vetë trajneri ka theksuar se ka nevojë për një pushim, e nuk do të drejtojë asnjë skuadër tjetër. “Kam një dashuri të madhe për këtë klub, për këtë arsye do të qëndrojë pranë tij gjithë jetën”, ka shtuar Zidane.