Zidane mbron Hazardin: Edhe unë vuajta në Itali
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka dalë në konferencë për shtyp, përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Club Brugge.
Francezi është pyetur nga gazetarët për Hazardin dhe formën jo të mirë që po kalon.
“Edhe unë kam pasur shumë vështirësi kur shkova në Itali, por isha i qetë. E dija se do të kalonte me kohën. Kur u transferova në Itali, humba tre muaj. Hazard do ia dalë në fund dhe do të jetë një lojtar i rëndësishëm për ne”, ka thënë trajneri francez.
“Nuk kam nevojë të merrem personalisht me të. Ai e di që ne presim shumë prej tij. Duhet të jemi të durueshëm me lojtarët që sapo kanë mbërritur”, ka shtuar Zidan.
Ndërkaq për mungesën e Ronaldos ai ka thënë: “Nuk do flas se çfarë ka bërë Ronaldo, pasi të gjithë e dimë këtë gjë. Duhet të vazhdojmë të punojmë që të përshtatemi me këta lojtarë që kemi”.